Politike

Nga Athina në Milano, çfarë ndryshon në takimin e kryeministrit me emigrantët shqiptarë? Blendi Klosi tregon detajet

Nga Gazeta Si - Takimi i kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi, u komentua shumë në disa aspekte, si nga mesazhet që dha, deri tek pjesëmarrja. Nuk munguan as video, foto dhe dëshmi që tregonin praninë në takim të zyrtarëve dhe të të zgjedhurve socialist, por për Sekretarin e Përgjithshëm Blendi Klosi, asnjë akuzë për përdorimin e adminisratës nuk e zbeh dot rëndësinë dhe entuziazmin e takimit të kryeministrit me shqiptarët e Greqisë.

Numri dy i PS mohoi të ketë patur urdhër për të mbushur stadiumin e Athinës nga Shqipëria. Gjatë intervistës për Gazeta Si, zoti Klosi tregoi edhe detaje nga vështirësitë e organizimit të Athinës dhe çfarë ndryshon me takimin e pritshëm të 26 majit në Milano.

“Ndryshe nga Greqia, në Itali nuk kemi patur asnjë problem. Salla është prenotuar 1 muaj përpara, siç bëmë me Athinën. Salla e Milanos është më e madhe se ajo e Athinës, ka rreth 7 mijë vende të ulura, shpresojmë të kemi rreth 10 mijë shqiptarë dhe besoj do të jenë, pasi takimet janë ndihmuar shumë nga entiziazmi i mitingut të Athinës.” tha zoti Klosi, i cili duket optimist dhe për realizimin e votës së emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme.

Gazeta Si: Të dielën e ardhshme, keni një takim tjetër më diasporën në veriun e Italisë. Duhet të presim diçka të ndryshme nga ai i Athinës?

Blendi Klosi: Në 26 maj do të jemi në Italinë e Veriut, një zonë që e kemi caktuar afër Milanos, që shqiptarët e Italisë së Veriut ta kenë më të aksesueshëm si vend. Ne e shohim si një takim të rëndësishëm të diasporës shqiptare në Itali, ku ne nuk shkojmë me ngjyrat e partisë. Kryeministri Rama bën takimin me shqiptarët e diasporës për të folur për problematikat e tyre, por edhe për të shprehur vizionin e tij 2030, që kërkon të bëjë krenar çdo shqiptar. Pjesëmarrja besoj do të jetë si ajo e Athinës. Ne presim mbi 10 mijë shqiptarë. Në Athinë patëm një zhvillim, që tani mund të themi se ishte pozitiv, sepse krijoi një atmosferë të ndezur atje. U ndeshëm me një sërë pengesash artificiale, që krjuan administrata të caktuara në shtetin helen për të mos u zhvilluar takimi. Por, ndryshe nga Greqia, në Itali nuk kemi patur asnjë problem. Salla është prenotuar 1 muaj përpara, siç bëmë me Athinën. Salla e Milanos është më e madhe se ajo e Athinës, ka rreth 7 mijë vende të ulura, shpresojmë të kemi rreth 10 mijë shqiptarë dhe besoj do të jenë, pasi takimet janë ndihmuar shumë nga entiziazmi i mitingut të Athinës.

Gazeta Si: A kishte pjesëmarrje me urdhër në takimin e Athinës? Ne pamë video dhe foto të autobusëve, makinave me radhë ta gjata, kryebashkiakëve, drejtorëve.

Blendi Klosi: Është për të ardhur keq që politika shqiptare, ndryshe nga vullneti i shqiptarëve të diasporës, siç erdhën në Greqi pa ngjyra partiake, por me flamurin kuq e zi dhe me krenarinë e të qenit shqiptar, sajon këto histori. Autobusat ishin nga rrethinat e Athinës, nga qytetet e tjera të Greqisë. Nuk është e vërtetë që pjesëmarrja nga Shqipëria ka qenë e madhe. Aty ishin disa kryetarë bashkie, pasi thirrja është bërë me komunitete të caktuara nga ata vijnë, për t’i grupuar, për t’i sjellë në takim, por nuk ka patur kërkesë që të shkojnë të organizuar nga Shqipëria. Më vjen habi që kësaj teze i shkon mbrapa edhe opozita, por kështu tregon diferencën aq të madhe mes nesh si në Shqipëri, edhe në Greqi. Është kjo arsyeja që vazhdojnë të humbasin vota. Ne u kemi detyrim shiptarëve emigrantë për atë që kanë bërë në 30 vjet dhe do të duhet t’ua tregojmë këtë respekt.

Gazeta Si: Në fjalën e tij në Athinë, kryeministri nuk e përmendi çështjen e votës së emigrantëve. Do të votojnë emigrantët në zgjedhjet e ardhshme?

Blendi Klosi: Çështjen e votës së emigrantëve e ngrita unë në fjalën time gjatë takimit në Athinë. Shpreha angazhimin dhe vendosmërinë e PS për ta realizuar votën e emigrantëve. Ne e kemi shprehur vullnetin tonë duke e vendosur këtë të drejtë në Kodin Elektoral. Nëse opozita ka forcën e 20 protestuesve në Athinë dhe ne kishim forcën e 20 mijë vetëve, atëherë nuk ka pse PS të mos e kërkojë me këmbëngulje këtë votë. Në rast se do të ketë një vullnet politik edhe nga opozita, ne jemi të gatshëm dhe duam ta realizojmë atë votë. Ne kemi nisur punën për forcimin e degëve të PS aty ku ka më shumë shqiptarë, në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, Kanada, Amerikë, Suedi për të krijuar një sistem tonin, për të patur forcë elektorale që të thithim votën e emigrantëve.  Vota e emigrantëve është në prag, ajo do të ndodhë shumë shpejt. Ne duhet të jemi të përgatitur që të kemi degët tona të strukturuara.

Gazeta Si: Kur kryeministri të jetë në Milano, është lajmëruar një protestë nga përfaqësues të diasporës në Itali për çështjen e votes. Keni ndërmend t’i takoni përfaqësuesit e tyre, të drejtuar nga kryebashkiakja e parë shqiptare e një komune italiane, Sindi Manushi?

Blendi Klosi: Nuk e kam dëgjuar këtë informcion, por siç është e drejta e tubimit, është dhe e drejta e protestës. Nuk kemi pse t’i druhemi një proteste qytetare, veçanërisht nëse është për të drejtën e votës. Ne po punojmë që ta realizojmë këtë të drejtë. Kështu që shpresoj që të mos jetë një protestë, por një mbështetje për veprimin politik që ne do të ndërmarrim. Kemi dëshirën dhe vullnetin për t’u takuar me këtë grupim, të flasim me ta dhe të kuptojmë se çfarë kërkojnë. Nëse zëri i tyre është në interes të shqiptarëve të Italisë, pse jo, të jenë edhe pjesë e dëgjesave tona me emigrantët në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë