Java që po lëmë pas, ka qenë një nga më dinamiket sa i takon vendimeve të drejtësisë jo vetëm në Shqipëri në lidhje me akuzat për korrupsion.
Përveç kësaj, nuk kanë munguar as vrasjet banale, si ajo që tronditi Tiranën për shkak të prishjes së radhës për të paguar në kasën e një marketi.
Në 14 dhjetor, një 29-vjeçar me precedentë të mëparshëm penal është vrarë me armë zjarri pas mesnatës së të martës në Tiranë gjatë një sherri për motive banale.
Viktima, i identifikuar si Jurgen Duka u konfliktua me një punonjës policie me detyrë në Dibër, A.S., për radhën në një market në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet, ku autori, pasi e ka qëlluar u largua nga vendngjarja.
Shoku i viktimës, i cili ka qenë së bashku me të në momentin e ngjarjes, ka deklaruar në polici dinamikën e krimit. Sipas dëshmisë së tij, sherri mes Jurgen Dukës dhe autorit nisi për radhën në market. Ai u identifikua nga policia disa orë pas ngjarjes, por pa mundur të arrestohet ende.
Po të martën, policia ka arrestuar ish-deputetin e LSI-së e PS dhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka pas hetimeve nga SPAK për dosjen e inceneratorëve.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion. SPAK konfirmoi se sëbashku më Kokën janë lëshuar urdhërat e arrestit edhe për shtetasit Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, shefat e dy prej kompanive që kanë përfituar nga kontratat me Partneritet Publik-Privat të inceneratorëve.
Të tre këtyre shtetasve u janë vendosur edhe sekuestro preventive mbi kompanitë e tyre. Interpoli ka njoftuar SPAK-un për arrestimin nga autoritetet italiane të ish- kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili pritet që të ekstradohet nga Italia për të vijuar me proceduat e dënimit të tij në Shqipëri.
Ish-kryeprokurori Llalla u arrestua në Romë një muaj nga shpallja në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Ish-kreu i organit të akuzës, u dënua në shtator, nga Gjykata e Apelit me 2 vite burg për akuzën e “Mos deklarimit të pasurisë” në 3 raste, dënim ndaj të cilit ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Një foshnjë 3-muajshe ka ndërruar jetë në Krumë të Hasit, ku paraprakisht dyshohet nga asfiksia. Policia është njoftuar nga nëna e saj, G.P., banuese në Krumë, se fëmija kishte ndërruar jetë në shtëpi.
Mësohet se nëna e foshnjes ishte me probleme të shëndetit mendor dhe jetonte e vetme me vajzën e porsalindur.
Në 15 dhjetor, dega e një poste në Babrru të Tiranës është grabitur mëngjesin e të mërkurës nga dy persona të maskuar me kapuçë.
Grabitësit janë futur në postë dhe kanë arritur që të marrin një shumë parash prej 200 mijësh lekë të rinj dhe më pas janë larguar me biçikleta. Pas dy ditësh ata u arrestuan nga policia.
Ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë, Gjergji Kohila është vetëdorëzuar sot në polici. Ai është dënuar me 8 vite burg, pasi akuzohet për përfshirje në bandën e trafikut të drogës së ‘Habilajve’.
Pasditen e 19 dhjetorit, një 33-vjeçar, i identifikuar si Endrit Sadedini është plagosur rëndë, pasi një sasi tritoli ka shpërthyer sapo ka hapur garazhin e tij për të marrë automjetin.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “10 korriku” të zonës së Lungomares jashtë ambienteve të një pallati rreth orës 15:10 të së dielës.
Si pasojë e shpërthimit të fortë, i riu ka mbetur i plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spital. Një makinë e djegur është gjetur në Babicë, e cila dyshohet të jetë e autorëve të atentatit.
Sadedini i kishte shpëtuar një atentati në vitin 2017 kur i kishin vënë eksploziv në makinë. Në atë kohë ai e pikasi lëndën shpërthyese dhe njoftoi policinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.