Futboll

Nga Anglia te Franca, 4 kombëtare në garë për lojtarin më të kërkuar të momentit

Gazeta Si – Ka nga ata që nuk arrijnë kurrë të shkojnë në kombëtaren e vendit të tyre, pavarësisht përkushtimit dhe impenjimit maksimal. Ka edhe nga ata që nuk dinë cilën kombëtare të zgjedhin, siç është rasti i mesfushorit të Kristal Pallasit, Mikael Olise, aktualisht mes Anglisë, Francës, Nigerisë dhe Algjerisë.

Ka pasur shpesh lojtarë me dy kombësi dhe që mund të luanin me të dyja kombëtaret. Shembujt e fundit janë Xhek Grilish dhe Deklan Rajs, të cilët zgjodhën Anglinë, por mund të luanin edhe për Irlandëm. Rregullat e reja flasin qartë: deri në momentin që një lojtar nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare me një kombëtare, mund ta ndryshojë atë. Por kur mundësitë janë katër dhe jo dy?

Olise gjate nje ndeshjeje ndaj Arsenalit. Gazeta Si, 11 mars 2022

Adnan Januzaj, për shembull, mund të luante përveç Mançester Junajtid, me Belgjikën, Anglinë, Shqipërinë, Kosovën dhe Turqinë, por zgjodhi të parën. Në këto kushte është tani Mikael Olise, një nga yjet e Kristal Pallasit. Mesfushori ka kaluar në akademitë e Çelsit dhe Mançester Sitit, por nuk i ka bindur ato. Për të mendoi Kristal Pallas, që tani ka një lojtar që përshtatet në disa role dhe është mjaft i kërkuar, jo vetëm nga klubet, por edhe nga kombëtaret.

“Daily Mail” shkruan se ka një mundje dore mes 4 kombëtaresh për këtë futbollist: Anglia, Franca, Nigeria dhe Algjeria. Është një çështje familje, sepse Olise ka lindur në Angli nga një familje franceze me origjinë nigeriane dhe algjeriane. Tabloidi shpjegon se në fushë ka zbritur vetë trajneri Southgejt për ta bindur të zgjedhë “Tre Luanët”.

Një ndërhyrje e nevojshme, po të kemi parasysh se me kombëtaren e moshave Olise ka luajtur për Francën U-18. Më pak shanse ka për dy kombëtaret afrikane. Nigeria e kishte futur në listën e të grumbulluarve për Kupën e Afrikës, por përgjigja e mesfushorit ishte: “Jo, faleminderit!” Olise tani është në mes të një beteje mes vendit të origjinës dhe atij ku ka lindur dhe është rritur. Vendimi nuk është aspak i lehtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë