Politike

Nga Angjeli te Agron Tufa, rastet kur Kuvendi shkeli ligjin për konflikt interesi

Bledar Hoti - Parlamenti shqiptar nga maji deri në gusht të këtij viti ka marrë disa vendime që janë në konflikt interesi dhe në shkelje të ligjit. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga raporti monitorues i Institutit të Studimeve Politike mbi vendimet e marra nga Kuvendi, që lidhen me votime ligjesh apo dhe nisma për shkarkim apo emërim anëtarësh që zgjidhen nga ligjvënësit shqiptarë.
Një nga problemet kryesore më të cilat ndeshet procesi i jetësimit integral të Konfliktit të Interesit, sipas raportit të ISP-së, është perceptimi i ndryshëm që deputetë, media, politikanë dhe vetë publiku ka për të. Në takimet me deputetë të ndryshëm, Instituti ka konstatuar se nuk ka një sistem të njëjtë vlerësimi për çështjet që mund të konsiderohen "konflikt interesi" dhe për masat parandaluese.
“Kriza politike në vend dhe situata e krijuar me zgjedhjet lokale, sidomos me vendimin e opozitës për bojkotimin e tij dhe vendimin e Presidentit për të anuluar datën e zgjedhjeve, lanë në hije problematika të tilla si etika, transparenca, llogaridhënia, konflikti i interesit, konsultimi publik, etj. Vlen të theksohet se pavarësisht ndikimeve nga politika, media ka treguar interes në publikimin e çdo të dhëne që lidhet me konfliktin e interesit, si dhe ka ofruar të dhëna për situata të mundshme në konflikt interesi”, theksohet në raport.
Rasti i parë i konfliktit, Angjeli dhe Akademia
Gjatë katër muajve të fundit parlamenti bëri ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e Kuvendit, si dhe pati rast të trajtojë në komisione ose në seancë momente të konfliktit të interesit. Gjithashtu ka pasur nisma të mazhorancës për shkarkim zyrtarësh për konflikt interesi ose shkelje etike, si dhe ka pasur denoncime të shumta publike për deputetë e zyrtarë të tjerë të lartë të zgjedhur nga Kuvendi, për gjendje të mundshme në konflikt interesi. Janë shënuar gjithsej katër raste të konfliktit të interesit, dy kanë qenë për deputetin Fatmir Xhafaj, si dhe nga Vasilika Hysi dhe Anastas Angjeli. Këto raste kanë qenë të vetëdeklaruara.

Anastas Angjeli, deputeti i PS-së


Gjatë periudhës maj-gusht 2019 pati vetëm një deklarim deputeti në gjendje të konfliktit të interesit, rasti i deputetit Anastas Angjeli. Ai ishte një prej dy deputetëve kryesorë iniciues të ligjit dhe paraqitjes së tij në Kuvend, ndërkohë që prej vitesh ai është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe përfiton pagesë simbolike, por periodike dhe të vazhdueshme nga ana e Akademisë. “Kuvendi nuk ndërmori asnjë hetim ose procedurë parandaluese dhe deputeti nuk e tërhoqi firmën e tij si iniciues i ligjit bashkë me kolegë të tjerë. Vetëm kur procesi vendimmarrës po afrohej dhe stafi monitorues i ISP disa herë e ngriti si shqetësim me drejtuesit e Kuvendit problematikën e konfliktit të interesit për këtë rast, deputeti mbajti një qëndrim publik, duke deklaruar rastin në Regjistrin e Konfliktit të Interesit në Kuvend”, thuhet në këtë raport. Ndërsa në seancën e 18 Korrikut, Angjeli nuk mori pjesë në procesin e votimit.

Rasti “Bregu”, shkarkim i debatuar për konflikt interesi

Një tjetër rast i identifikuar është ai për shkarkimin e realizuar nga Kuvendi të anëtarit të Autoritetit të Medias Audiovizive, Zylyftar Bregut. Vendimi i Parlamentit do të përbënte edhe rastin e parë të shkarkimit me akuzën e konfliktit të interesit. Propozimi për shkarkim u evitua disa herë nga rendi i ditës së Kuvendit, duke përdorur si argument faktin se ai ka qenë propozim i opozitës, e cila nuk ishte më në parlament. Megjithatë, në qershor Kuvendi vendosi ta përfshijë në rend dite propozimin për shkarkim dhe më 04.07.2019 vendosi shkarkimin e tij me 81 vota pro, 1 kundër dhe 12 abstenime. Vetë zyrtari i shkarkuar bëri deklarime publike kritike ndaj parlamentit dhe e paraqiti veten si viktimë të një vendimmarrjeje politike, duke theksuar se do të padiste në gjyq Parlamentin.

Raporti i monitorimit nga ISP-ja


Rasti “Malaj”, nisma në shkelje të ligjit
Më 15 korrik 2019 mazhoranca parlamentare ndërmori nismën ligjore për inicimin e shkarkimit të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, zgjedhur nga vetë Kuvendi dhe nga të njëjtit deputetë fundin e vitit të kaluar. Nisma e mazhorancës bazohej në të dhënat e shërbimit të Monitorimit në Kuvend, - një strukturë ndihmëse e administratës dhe e Kuvendit, - dhe ka të bëjë me akuzën se përmes deklarimeve publike prej 2018 e në vijim zoti Malaj ka cenuar etikën e anëtarit të KM duke bërë deklarime të natyrës politike. Në fakt, sipas ligjit organik të Bankës së Shqipërisë, neni 47, “Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë, si dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit Mbikëqyrës, mund të shkarkohen nga Kuvendi me propozim të shumicës së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës”.

Arben Malaj, anëtar i Këshillit në Bankën e Shqipërisë


Pra, e drejta ligjore është e Bankës, jo direkt e Kuvendit. Në arsyetimin e mëtejshëm të mazhorancës në parlament, thuhet se “Këshilli Mbikëqyrës dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, refuzojnë pa asnjë justifikim ligjor të shqyrtojnë ose të reagojnë ndaj sjelljes jo etike dhe në kundërshtim të hapur me rregullat e Kodit të Sjelljes të Miratuar nga vetë Këshilli”, duke shtuar se kjo sjellje “është refuzim i hapur i respektimit dhe zbatimit të ligjit mbi të cilin ata duhet të udhëhiqen dhe tentativë për pengimin e Kuvendit për të zbatuar ligjin në një rast evident të shkeljes së tij”.

Nisma përmban 28 nënshkrime deputetësh, përfshirë kryetarin e Komisionit të Ligjeve në Kuvend. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi do të deklaronte në seancën e 16 korrikut se nismën do ta dërgonte për vlerësim Qeverisë, e cila ajo e ka të drejtën e propozimit. “Siç rezulton edhe nga reagimi i kryetarit të Kuvendit, nisma e 28 deputetëve për shkarkim direkt në seancë, përbën një devijim të dukshëm nga praktikat ligjore dhe parlamentare, si dhe një nismë më shumë politike sesa ligjore. Siç rezulton edhe nga relacioni i nismëtarëve, ku i gjithë Këshilli Mbikëqyrës akuzohet për shkelje të ligjit dhe pengim të Kuvendit, atëherë do të duhej të kishte nismë të Kuvendit për shkarkimin e të gjithë Këshillit, jo vetëm një anëtari të tij. Vetë subjekti, z.Malaj, ka pasur dhe vijon të ketë deklarime politike e publike, duke e konsideruar nismën si hakmarrje politike ndaj tij”, thuhet në këtë raport.

Rasti “Mete” dhe kalvari i një debati mbi konfliktin e interesit
Një tjetër rast që cilësohet si në shkelje të ligjit, por edhe në një konflikt interesi është votimi për kryetar të Bordit të Autoritetit të Mbrojtjes Financare, Ervin Mete. Ai më parë ka mbajtur postin e zv/ministrit të Financave në qeverinë Rama, ndërsa raporti për kalimin për votim u paraqit pikërisht nga Arben Ahmetaj, si kryekomisioner i Ekonomisë, por që më parë ka qenë ministër i Financave, një vartës i Metes. “Ky është një rast tipik ku Kuvendi vijon të shfaqë mangësi të shumta dhe mund të kemi të bëjmë me praktika abuzive edhe të konfliktit të Interesit”, thuhet në raportin e ISP-së.

Faksimile e propozimit të Ahmetaj për Ervin Meten


Kandidati vijoi të jetë në detyrën e Drejtorit të Kabinetit në Ministrinë e Financave që prej shtatorit 2017 emëruar nga ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj, i cili aktualisht ushtron detyrën e Kryetarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvend. Sipas Nenit 6 të Ligjit të mësipërm për AMF, Kryetari i bordit të këtij institucioni emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, pas një procedure përzgjedhëse. Mete figuron të jetë kandidaturë në kundërshtim me legjislacionin për AMF, pasi njihet publikisht të ketë qenë i angazhuar si Kryetar i Partisë Politike G99, pozicion i cili ka papajtueshmëri me atë të Kryetarit të Bordit të AMF. Ai figuron të jetë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës nën siglën e PS-së, si dhe ka qenë anëtar i INSG i shoqërisë së sigurimeve. Ligji AMF parashikon ndalim kandidimi për personat që në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura. Pra deri në gusht 2019, z. Mete nuk mund të ishte në Bordin e AMF.

Ervin Mete, kreu i Bordit të AMF-së


“Pavarësisht konfliktit të interesave të mësipërm dhe papajtueshmërisë së detyrave të ushtruara nga z. Mete, Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat z. Arben Ahmetaj, ka firmosur kandidaturën e tij për t'u votuar nga seanca plenare e radhës së Kuvendit, me sugjerimin për të qenë z. Mete i avantazhuar në këtë procedurë”, thuhet në raportin e ISP-së.

Rasti “Agron Tufa”, kur politika konsumon konflikte sezonale
Rasti “Tufa” ishte më shumë rast i debatit politik sesa juridik, dhe megjithatë përfshiu parlamentin për rreth një muaj. Gjatë raportimit vjetor në Kuvend të Institutit për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) lindi një debat që më pas u bë edhe debat publik midis disa anëtarëve të komisionit, kryesisht deputetit Spartak Braho dhe drejtorit të ISKK, Agron Tufa.
Debati përfundoi në padi në gjykatë të zotit Tufa ndaj deputetit Braho dhe personave të tjerë dhe lidhej kryesisht me akuza dhe fyerje personale, por edhe për shkak të funksionit. Duke qenë se deputeti është njëherësh anëtar i Komisionit të Ligjeve në Kuvend, ku ISKK raporton periodikisht dhe merr miratimin edhe të rezolutës vjetore, pati përpjekje të qarta për përdorimin e pushtetit në parlament për të denigruar figurën e titullarit dhe këtij institucioni. Në përfundim, palët gjetën gjuhën e përbashkët gjatë vendimmarrës për rezolutën finale në Komision dhe çështja duket se u arkivua, por duke lënë pasoja sa në imazhin e parlamenti aq edhe në pozitën e ISKK-së dhe drejtuesve të tij. Konflikti midis tyre mori shumë kohë dhe vëmendje publike, ndaj edhe përbën një rast tjetër kur politika dhe nevojat politike të ditës ndikojnë në axhendën parlamentare dhe në raportin midis parlamentit dhe institucioneve të varësisë. Këtu duhet përfshirë edhe nisma ligjore e paraqitur në Kuvend ku i kërkon Institutit që punonjësit e saj të jenë pajisur me certifikata sigurie kur hapin arkivat e ish-Sigurimit.
Instituti i Studimeve Politike gjithashtu bën të ditur se pavarësisht këtyre konstatimeve, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive nuk ka raportuar asnjë rast. Gjithashtu edhe pse duhet të deklarohen, bëhet e ditur se Monitorimi dëshmon se ende nuk ka ndonjë deklarim deputeti në Regjistrin e Dhuratave, nuk ka raste deklarimi në Konflikt Interesi lidhur me lobimet në Kuvend dhe nuk ka pasur raste hetimi nga vetë parlamenti lidhur me akuzat e ndryshme për konflikt interesi adresuar nga media, shoqëria civile, politika, apo burime të tjera në drejtim të deputetëve të veçantë.
“Shumica e denoncimeve që vijnë nga qytetarët dhe media nuk janë marrë në trajtim nga Parlamenti dhe stafi i ISP ka konstatuar se në tërësi kanë qenë denoncime të motivuara politikisht. Për hetimin e rasteve ISP ka bashkëpunuar me ILDKPKI dhe instancat e tjera shtetërore, por deri më tani ka qenë e vështirë mbledhja e të gjitha të dhënave të dosjeve të supozuara si raste të konfliktit të interesit”, thuhet në këtë raport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë