Politike

Nga akciza te kufizimi, ose “loja” me pijet energjike

Mentor Kasa - Kuvendi miratoi këtë të enjte me 75 vota pro disa kufizime në konsumin dhe reklamimin e pijeve energjike. Por, kjo nuk është e para herë që kjo kategori pijesh shqyrtohet nga deputetët socialistë në 5 vitet e tyre në pushtet.

Në dhjetor të 2013 kur diskutonin paketën e tyre të parë fiskale dhe pak muaj pasi kishin marrë pushtetin, socialistët kaluan fillimisht në Komisionin e Ekonomisë dhe më vonë në Kuvend një ligj që vendoste këto pije në listën e mallrave që duhet të paguanin akcizë.

“Problemi i parë është ajo që unë ju kam kërkuar dhe këtu në Komision, futjen nën regjimin e akcizës për pijët energjike, pra pijeve joalkoolike që përmbajnë substancë stimuluese dhe shkaktojnë stimulim fizik dhe mendor, zakonisht përmbajnë kafeinë, taurin, vitamina, aromatizues. Për propozimin e parë niveli i akcizës për pijet energjike, propozimi im është 50 lek për litër”, deklaronte në atë kohë, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe.

Në atë kohë, mazhoranca e re akuzonte ish-Kryeministrin Sali Berisha se kishte lënë jashtë akcize këtë kategori pijesh për të favorizuar klientët pranë qeverisë së tij. Taksa u kundërshtua nga importuesit e pijeve energjike.

Pavarësisht kësaj, propozimi i Erjon Braçes u miratua dhe Ministria e Financave mori përsipër përcaktimin dhe saktësimin se kush pije futej në kategorinë e “pijeve energjike”.

Por, jetëgjatësia e akcizës 50 lek për pijet energjike do të ishte mjaft e shkurtër. Qeveria u dorëzua brenda të njëjtit vit dhe në fund të 2014 dorëzoi në Komisionin e Ekonomisë propozimin e saj ‘prapakthehu’ për të hequr këto pije nga lista e mallrave që paguajnë akcizë.

Propozimi i Qeverisë hasi në kundërshtimin e deputetëve të mazhorancës. Sipas deputetëve të shumicës në atë kohë, nuk mund të hiqej akciza për pije që dëmtojnë shëndetin e qytetarëve dhe sidomos në kushtet kur numri i konsumatorëve është rritur ndjeshëm.

Por, Qeveria kishte ndryshuar qëndrim me argumentin se akciza ndaj pijeve energjike nuk ishte një praktikë e vendeve të Bashkimit Europian, madje tha se kishte patur një kërkesë të drejtpërdrejtë nga një ambasadë e huaj për heqjen e akcizës.

Emri i selisë diplomatike që u bë palë me importuesit e këtyre pijeve nuk u bë publik asnjëherë, por në atë kohë qarkulluan lajme se ambasada që kishte ndërhyrë ishte ose ambasada holandeze, ose ajo austriake. Në Holandë prodhohet pija energjike B52, mjaft e përhapur në Shqipëri, ndërsa në Austri Red Bull, një tjetër markë mjaft e konsumuar jo vetëm në vendin tonë.

Mes heqjes totale të akcizës dhe ruajtjes së saj në nivelin e 50 lekëve u gjet një rrugë e mesme. Parlamenti uli në 30 lek akcizën për këto pije, por me zotimin për të punuar për kufizimin e këtyre pijeve sidomos nga personat nën 18 vjeç.

Por, as kjo ulje duket se nuk kënaqi biznesin “energjik” të pijeve energjike, që vazhdoi lobimin për heqjen e plotë të saj, duke ja dalë mbanë në fund të 2017, kur një propozim i socialistëve riktheu pijet energjike në kategorinë e para 2013.

Propozimi ishte nismë e deputetit Ervin Bushati. Sipas tij, akciza nuk kishte ndikuar në uljen e konsumit dhe për më tepër kishte deformuar tregun.

“Duke patur parasysh diskutimin që kemi nisur që para tre vjetësh për një shqetësim që kishim për përdorimin në pijet energjike, është parë që nuk ka ndikuar në përdorimin e saj, ndaj propozoj të shfuqizohet kjo pikë. Jam dakord që pas diskutimeve që bëmë, në dy-tre mbledhje më vonë të shikohet në një kontekst më të gjerë, qoftë me pijet e gazuara dhe pijet që kanë sheqer”, deklaronte deputeti Ervin Bushati.

Deputeti, Erjon Brace, duke folur gjate nje mbledhje te Komisionit Parlamentar te Ekonomise. Foto LSA

Njëri prej partizanëve të vendosjes së pijeve energjike nën regjim akcize ishte Erjon Braçe. Ai i qëndroi bindjes së tij edhe në 2017 si në 2014 dhe votoi kundër, por vota e tij përballë vendosmërisë së qeverisë dhe kolegëve deputetë për të hequr dorë nga akciza ishte e pafuqishme. Vetë kreu i Ekonomisë zotohej se do ta ndiqte këtë çështje për të gjetur të tjera mekanizma kufizues për këto pije.

“Ne duhet të marrim një masë që e kufizon konsumin me ligj, e kemi bërë këtë gjë për duhanin, për pijet alkoolike, duhet ta bëjmë edhe për pijet energjike dhe pijet me sheqer mbi normë dhe këtë gjë do ta çoj vetë deri në fund, pra vendosjen e kufizimit të moshës”, zotohej Braçe.

Partia Demokratike nga ana tjetër “fërkonte” duart, sepse ishte një rast i mirë për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të katër viteve më parë të socialistëve për klientelizëm.

“Unë e konsideroj klientelizëm kur një produkti i vendoset dhe i hiqet akciza dhe jo kur nuk ka pasur asnjëherë akcizë. Kush është i korruptuar tani?!”, pyeste me ironi deputetja Jorida Tabaku.

Sot, pijet energjike mbeten jashtë listës së produkteve me akcizë, por Kuvendi votoi zotimin e një viti më parë të Erjon Braçes, për të ndaluar konsumin e tyre për personat nën 18 vjeç, ndëshkimin e atyre që u shesin minorenëve këto pije dhe ndërgjegjësimin për pasojat në shëndet në kanalet reklamuese të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë