Gazment Bardhi ka kërkuar që të thirret në Komisionin e Ligjeve, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.
Ai tha se duhet bërë transparencë, se përse lista e fituesve nga 70 përfundoi me 140.
Në fjalën e tij në Komision, Bardhi shtoi se në listën e fituesve, ishin edhe patronazhistë të PS.
“Nuk mund të bëjmë sikur nuk e kemi pare atë që ka ndodhur në konkursin e Shkollës së Magjistraturës. Kam parë në media, që lista e fituesve është shtuar 3 herë.
Ne si komision do duhet të thërrasim në pyetje Drejtorin e Shkollës së Magjistratures. Nëpërmjet këtij Komisioni të informohet edhe opinioni publik. Te kuptohet se çfarë ka ndodh me Shkollën e Magjistraturës. Është hera e parë që ky proces vishet me hije skandali. Nga 70 fitues që u zgjuan në mëngjes, shkoi në 140 në darkë.
Të jem i sinqerte e kam lexuar reagimin e Shkollës së Magjistraturës. Nuk kuptohet pse ditën e parë ishin 70, në darke u bënë 120 dhe të nesërmen 140 fitues. Ju keni publike listën e patronazhistëve. 13 persona që kanë fituar janë në listën e patronazhisteve të PS. Nuk dua t’i paragjykoj. Fakti që është patronazhist nuk do të thotë të mos bëjë karrierë, por duhet transparencë. Të mësojmë se çfarë ka ndodhur”, tha Bardhi në Komisionin e Ligjeve.
“Shkolla e magjistraturës nuk varet nga Parlamenti. Ka institucione të tjera të strukturës së drejtësisë. E kuptoj shqetësimin por mos e politizoni për patronazhistë se është qesharake. Është një sistem që nuk varet nga ne. Edhe të duam ne ta kontrollojmë nuk e kontrollojmë dot. Është ndërtuar në një mënyrë të tillë që nuk kontrollohet nga PS. Duke vlerësuar shqetësimin që keni, mendoj se situata nuk mund të politizohet. Thirrja e drejtorit të Magjistraturës është e tepërt dhe e paligjshme”, iu pergjigj deputeti i PS, Pandeli Majko.
Në përfundim konkursit të zhvilluar pak ditë më parë, testet janë korrigjuar përmes pajisjes scantron, nga ku kanë rezultuar 79 persona fitues. Mirëpo, 24 orë më vonë Shkolla e Magjistraturës ka publikuar një listë me mbi 121 fitues. Shqetësimit të disa prej kandidatëve, drejtuesi i Shkollës së Magjistraturës, i është përgjigjur se pajisja scantron nuk ka funksionuar si duhet dhe se disa nga tezat janë rivlerësuar.
Duke pretenduar mungesë transparencë dhe shkelje të rregullave të provimit një grup prej 27 kandidatësh kanë nënshkruar një peticion përmes të cilit kërkojnë ripërsëritjen e testimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



