Më 18 nëntor të 2020, Qeveria kaloi një vendim sipas të cilit përcaktohej kuota e rimbursimit të ilaçeve për personat që kuroheshin nga Covid në shtëpi. Vendimi në fjalë, bashkë me rregullat e dokumentacionin që kërkohej ndante rimbursimin në dy kategori; për ata me simptoma të lehta dhe ata me simptoma mesatare.
Për pacientët me simptoma të lehta rimbursimi do të ishte maksimumim 1650 lek, ndërsa për ata me simptoma mesatare jo më shumë se 10900 lek. Për zbatimin e këtij vendimi u vu një fond i posaçëm prej rreth 10 milionë euro.
Por a u shpërndanë këto para për qytetarët e prekur nga Covid? Shuma e rimbursimit, jo vetëm që ishte ndër më të ultat në krahasim edhe me vendet e rajonit, por të dhënat e paraqitura në një raport të Fondacionit britanik për Demokraci “Westminster” tregojnë se ajo as nuk u shpërnda. Sipas të dhënave, vetëm 2.5 për qind e të gjithë këtij fondi u shpërnda nga nëntori 2020, kur hyri në fuqi kjo VKM deri në 31 gusht të 2021.
E thënë në shifra, Qeveria shqiptare ndau në 10 muaj vetëm 240 mijë euro për rimbursimin e qytetarëve të infektuar nga Covid, megjithëse fondi i vënë në dispozicion ishte 10 mln euro, ndërkohë që të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se më 31 gusht, vendi numëronte rreth 146 mijë raste zyrtare me Covid.
Pra, e ndarë mes këtyre personave të infektuar, deri në gusht të 2021-it, një qytetar i infektuar me Covid përfitoi mesatarisht si rimbursim për ilaçet rreth 1.6 euro, ose rreth 180 lek, në një kohë që shpenzimet mesatare për një person të infektuar me Covid përllogariten rreth 100 mijë lek, ose pak më shumë se 800 euro.
Por, përveç kësaj jo të gjithë e morën rimbursimin. Po sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri në fund të gushtit të vitit të kaluar vetëm 5 për qind e të infektuarve përfituan rimbursim, ose rreth 7 mijë persona.
Në nëntor dhe dhjetor të 2020, 1708 pacientë u rimbursuan me një total prej 6.3 mln lekësh, ose rreth 51 mijë euro, me një mesatare prej 3700 lekësh, ose 30 eurosh për persona. Nga janari deri në prill të 2021, periudhë që ka brenda edhe kulmimin e valës së dytë të pandemisë në shkurt e mars, u rimbursuan 5475 pacientë me një vlerë totale prej 22.5 mln lekësh, ose rreth 183 mijë euro. Mesatarisht një pacient përfitoi rreth 4110 lek, ose rreth 33 euro.
Nga maji deri në gusht, kur pandemia e uli valën goditëse, ra fort edhe numri i rimbursimeve. Në këtë periudhë, qeveria shqiptare ndau vetëm 1 mln lek, ose rreth 8 mijë euro për 196 pacientë, që përfituan mesatarisht 41 euro.
Krahasuar me vendet e tjera të Europës dhe rajonit, shpenzimet për shëndetësinë në Shqipëri pësuan rritjen më të madhe në 2020-n. Shpenzimet shëndetësore për familjet u rritën me 28 për qind, ose dy herë më shumë se sa rritja e regjistruar nga vendi i dytë në listë, që ishte Serbia.
Kjo prirje është një tregues i tërthortë se shumica e familjeve shqiptare u detyruan që të rrisin shpenzimet shëndetësore për t’u përballur me pandeminë, ndryshe nga vendet e tjera të Europës, ku kostoja e pandemisë u përballua kryesisht nga sistemet shëndetësore.
Sipas të dhënave të INSTAT, në 2020 769 mijë familjet shqiptare shpenzuan vetëm për shëndetësinë 334 milionë euro, ose rreth 72 mln euro më shumë se në 2019.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



