Nga Gazeta 'SI' - Në një analizë të gjatë për lidhjet e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump me investitorët e huaj “New York Times” ndalet dhe tek rasti i Shqipërisë dhe projekti miliarda dollarësh në Sazan.
Duke përmendur projektin ambicioz të Kushner në ishullin e Sazanit, NYT shkruan se ai u favorizua nga qeveria shqiptare e cila ndryshoi ligjet për dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Deklarata mohohet nga një zëdhënës i kryeministrit Edi Rama në një reagim për prestigjiozen amerikane duke theksuar se "ndryshimi nuk u bë specifikisht për Kushner.
LEXO EDHE:
- Investimet e dhëndrit të Trump, Rama: Projekt ambicioz, s'po e shesim Sazanin. Delirantëve u them se s'është as zonë e mbrojtur
- New York Times: Sauditët, Grenell, Kastrati… Kush është pas investimit të dhëndrit të Donald Trump në Shqipëri
- Projekti i dhëndrit të Donald Trump në Sazan me fonde saudite, kongresmenët demokratë akuza për korrupsion
Më herët një akuzë e tillë është ngritur nga opozita dhe kritikët e projektit në Shqipëri. Kushner bashkë me bashkëshorten e tij Ivanka Trump vizituan verën e shkuar kryeministrin Edi Rama në Shqipëri, të shoqëruar nga Richard Grenell, që siç thotë NYT, ka bërë 'pazaret' për projektin.
Pjesë nga artikulli:
Në Shqipëri, aty ku Kushner po negocionon marrjen e një ishulli shtetëror për të ndërtuar një resort luksoz, qeveria ka modifikuar disa ligje për të lehtësuar ndërtimin e Kushner. Ligjet e ndryshuara nga qeveria shqiptare lejojnë ndërtimet e njësive rezidenciale turistike në zonat e mbrojtura dhe zonat bregdetare.
Një zëdhënës i kryeministrit shqiptar Edi Rama tha se ndryshimet ligjore nuk janë bërë për të favorizuar specifikisht Kushner. Në një intervistë vetë Kushner tha se ai nuk ka lobuar në Shqipëri për ndryshime ligjore, por e quajti si një shenjë nga qeveria për të promovuar ekonominë turistike.
Problemi, thotë Steven L. Schooner, profesor juridik në Universitetin George Washington dhe ish-avokat i Shtëpisë së Bardhë, është se edhe nëse Kushner nuk kërkon qëllimisht favore nga qeveritë e huaja, ai mund t'i marrë ato.
"Ka shumë qeveri të huaja që do të donin të shiheshin në mënyrë të favorshme nga presidenti i Shteteve të Bashkuara," tha z. Schooner. "Lidhja në marrëveshje biznesi me dhëndrin e presidentit të ardhshëm është një mënyrë për ta arritur këtë."
Kushner tha se ai është i bindur se nëse zoti Trump rizgjidhej, të gjitha vendimet që merrte vjehrri i tij do të bazoheshin në atë që ishte më e mira për vendin, jo në ndonjë interes të biznesit familjar. Ai shtoi se asnjë favor ndaj tij nga asnjë qeveri e huaj nuk do të pranohej.
“Nëse ata mendojnë se do të kenë trajtim të veçantë nga Trump sepse po bëjnë një marrëveshje me mua, e kanë gabim,” tha ai. "Kjo do të ishte marrëzi."
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.