Mosmbajtja e takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po konsiderohet si refuzim nga pala serbe.
Sipas tyre, për një marrëveshje finale mund të kontribuojnë ndërkombëtarët, por me theks të veçantë duhet të ekzistojë edhe vullneti politik i dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë.
Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” Visar Ymeri, në një intervistë tha se Serbia vazhdimisht ka qenë e interesuar për tema më të vogla.
Ai thotë se duhet të bëhet presion më i madh nga BE dhe SHBA ndaj Serbisë në këtë drejtim, por shton se procesi mund të zvarritet edhe për shkak të luftës në Ukrainë.
“Tash në këtë radhë duket se refuzimi ka ardhur prej Beogradit, domethënë prej presidentit të Serbisë i cili për çfarë do arsye ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës. Serbia ka qenë për një kohë e interesuar vazhdimisht që procesi i dialogut të bëhet sa më ngadalë për tema sa më të vogla e kështu me radhë, në mënyrë që të mos flitet për temën kryesore. Në këtë drejtim konsideroj që do të duhej që të kishim një lloj presioni pak më të madh nga BE dhe vendet e tjera ndaj Serbisë në mënyrë që ta merrte më seriozisht”.
Ish-kryetari i Vetëvendosjes thekson se pala kosovare, dialogun duhet ta përjetojë si fitore e jo imponim.
“Mendoj që edhe Kosova edhe Serbia, e veçanërisht Kosova në këtë rast, duhet të shohin më shumë interesim te dialogu sepse dialogu nuk duhet ta përjetojmë si një diçka që në imponohet po si një diçka përmes së cilës ne mund të fitojmë”.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula thotë se pala serbe është e irrituar me vendimet e fundit të Qeverisë, për reciprocitetin e letërnjoftimeve e targave në territorin e Kosovës.
“Takimi i paralajmëruar në mes krerëve shtetërorë, saktësisht takimit të përfolur për një takim mes Kryeministrit Kurti dhe President Vuçiç janë arsye të shumta të cilat e kanë pamundësuar një takim të nivelit të tillë. Por, vendimmarrjet e fundit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve që rezulton nga marrëveshjet e Brukselit për sa i takon reciprocitetit për letërnjoftimet dhe për respektimin e targave brenda territorit të Republikës së Kosovës, natyrisht sjellin një iritim tek Qeveria Serbe. Këtë e them për faktin se ka pasur një mori deklaratash nga ana e tyre, deklarata të cilat kanë treguar dozën e irritimit dhe mbi bazën e kësaj pastaj ata janë munduar të gjejnë arsye të cilat mund të jenë të paqëndrueshme”.
Ai thekson se Serbia në raste të caktuara ka shprehur neglizhencë duke mos treguar vullnet politik, e si pasojë e kësaj janë zgjatur edhe temat e hapura.
“Procesi i dialogut shtyhet me neglizhencë, e neglizhenca rrjedh si rezultat i mungesës së vullnetit politik. Pra, Serbia në këtë rast, në raste të caktuara ka shprehur neglizhencë duke mos treguar vullnet politik për një fqinjësi të mirë, për një fqinjësi korrekte ndërmjet dy vendeve dhe kjo është rezultati i prolongimit të përmbylljes së temave të hapura dhe është rezultat i prolongimit të arritjes së një marrëveshje të ndërsjellët me njohje”. / EO
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




