Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, hodhi poshtë mundësinë e një armëpushimi në Rripin e Gazës.
Ai deklaroi se ofensiva shkatërruese e ushtrisë izraelite do të vazhdojë derisa grupi i militantëve të Hamasit të lirojë të gjitha pengjet.
“Izraeli do të vazhdojë me të gjitha forcat e veta. Nuk pranojmë armëpushim të përkohshëm në të cilin nuk përfshihet rikthimi i të gjitha pengjeve”, tha Netanyahu.
Pas takimit me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, lideri Izraelit dha këto komente, për vijueshmërinë e sulmeve në Rripin e Gazës.
Hamasi rrëmbeu rreth 240 njerëz gjatë sulmeve që kreu në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor, të cilat shkaktuan një situatë të tensionuar mes Izraelit-Hamas. Mbi 1.400 persona u vranë nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, sipas zyrtarëve izraelitë.
Ndërsa, nga sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë janë vrarë mbi 9.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Bombardimet kanë detyruar mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të largohen nga shtëpitë e tyre. Furnizimet me ujë, ushqime dhe karburante janë pakësuar për shkak të rrethimit të Izraelit dhe shumica e spitaleve janë pranë kolapsit.
Izraeli ka lejuar mbi 260 kamionë me ushqime dhe ilaçe të hyjnë në Gazë, por sipas punëtorëve të ndihmës kjo sasi e ndihmës nuk është e mjaftueshme.
Autoritetet izraelite kanë refuzuar që të lejojnë dërgimin e furnizimeve me karburante, duke thënë se Hamasi do të përdorte karburantet për përdorime ushtarake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



