Bota

Netanyahu i pandikuar nga protestat masive, vazhdon ofensivën në Gaza

Nga Gazeta ‘Si’- Pavarësisht zërave të mijëra protestuesve që mbushën sheshet e Tel Avivit duke kërkuar përfundimin e luftës dhe kthimin në shtëpi të pengjeve izraelite, kryeministri Benjamin Netanyahu mbetet i vendosur në planet e tij për vazhdimin e ofensivës në Gaza.

Protestat përfshinë bllokime rrugësh, sit-in që ndaluan autostradën kryesore të vendit, dhe manifestime pranë banesave të ministrave. Edhe përballë kritikave të ashpra ndërkombëtare, Netanyahu nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqjeje.

Në mbledhjen e shumëpritur të kabinetit të sigurisë, e mbajtur në Jeruzalem, nuk u mor asnjë vendim lidhur me propozimin për një armëpushim 60-ditor, një ofertë e pranuar nga Hamasi, por që ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga Izraeli.

Sipas mediave vendase, mbledhja tre-orëshe përfundoi “pa asnjë diskutim konkret për marrëveshjen dhe pa votime formale për çështje të tjera”.

Kjo vjen në një moment kur Izraeli po përballet me një valë kritikash pas sulmit të së hënës ndaj spitalit Nasser në Khan Younis, ku u vranë 22 persona dhe u plagosën mbi 50 të tjerë.

Ndër të vrarët ishin edhe pesë fotoreporterë palestinezë që punonin për agjenci ndërkombëtare si Reuters dhe Associated Press. Sipas dëshmitarëve, ata u goditën nga dy predha tanku, të lëshuara me pesë minuta diferencë.

Në Jeruzalem, qindra manifestues marshuan drejt zyrës së kryeministrit të shoqëruar nga forca të shumta policore. Në mëngjes, në kuadër të të ashtuquajturit “Dita e bllokimit”, u mbajt një protestë që ndërpreu trafikun mes Tel Avivit dhe Jeruzalemit, me goma të djegura dhe thirrje kundër ministrave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir.

Kabineti i sigurisë pritet të mblidhet sërish të dielën. Mbledhja e djeshme përfundoi para kohe, pasi ministrat kishin një darkë gala me Këshillin Rajonal Binyamin institucioni që përfaqëson kolonët dhe vendbanimet në Bregun Perëndimor. Në këtë aktivitet, ata u pritën me protesta të reja dhe thirrje: “Festoni, ndërsa pengjet po vdesin nga uria”.

Kjo darkë vështirë se do të shërbejë për të ulur tensionet në territoret e pushtuara, ku dhuna nga kolonët ekstremistë ndaj fshatrave palestineze vazhdon. Një sulm i tillë u raportua dje në fshatin Qawawis, në zonën Masafer Yatta, ndërsa Ramallah u bë shënjestër e një operacioni të gjerë ushtarak.

Sipas raportimeve, forcat izraelite sulmuan qendrën e qytetit në mes të ditës, duke përdorur gaz lotsjellës dhe armë zjarri. Dëshmitarët thonë se ushtarët u pozicionuan edhe në çatitë e ndërtesave. Sipas Gjysmëhënës së Kuqe palestineze, 58 persona u plagosën, përfshirë një 13-vjeçar në gjendje të rëndë pasi u qëllua në bark. Ushtria izraelite deklaroi se operacioni kishte për qëllim goditjen e një rrjeti të fshehtë të financimit të Hamasit.

Gjatë bastisjes, u arrestuan pesë palestinezë dhe u sekuestrua një shumë e madhe parash në një zyrë këmbimi valutor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë