Politike

Nesho: Rama po vë në rrezik integrimin me qëndrimet pro Vuçiçit, të dalim sa më shpejt nga ‘Ballkani i Hapur’

Ambasadori Agim Nesho, në cilësinë e zv.kryetarit të Partisë së Lirisë kërkon që Shqipëria të dalë sa më shpejt nga Ballkani i Hapur, që e cilëson një nismë të vjetër serbe për hegjemoni në rajon, që veç të tjerave shtrin e përforcon edhe ndikimet ruse.

“Ballkani i Hapur, një iniciativë e vjetër serbe për dominim e saj ballkanik, një iniciativë që sjell ndarje dhe jo integrim, një iniciativë e imponuar popujve të Ballkanit nga interesat e ngushta për pushtet të liderëve të kapur, që zgjidhjen e gjejnë jo në vlerat dhe parimet europiane, por në kompromiset me nacionalistët dhe lëshimet pa princip”, deklaron ai.

Nesho thotë se tensionet e krijuara nga nacionalistët e rinj të Beogradit ditët e fundit në Kosovë tregojnë qartë sesa larg qëndron Serbia në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe europianiste që sigurojnë paqe dhe stabilitet në rajon.

“Në këtë klimë tensioni dhe nxitje për konflikt, në një skenar që Rusia shikon me interes për të shtrirë influencat e saj dhe konfliktin në Ballkan, zoti Rama përpiqet më kot të gjejë zgjidhje kompromisi tek Ballkani i Hapur. Partia e Lirisë është për Ballkanin e Lirë të Vlerave Europiane dhe jo Ballkanin e Hapur për influencat Ruse dhe Kineze. Një Ballkan të Lirë për të bërë zgjidhjen e tij për integrimin Europian, një Ballkan të lirë nga frika e rikthimit të nacionalizmave dhe rindarjes së tij në linja të pastra etnike”, vijon ai.

Kryeministrin e Shqipërisë e akuzon se me qëndrimin, sipas tij, proserb, po vë në rrezik edhe të ardhmen europiane të vendit.

“Pamë një kryeministër Shqiptar të mbajtur peng nga protagonizmi i tij i gabuar, ‘që fshihet si struci për të mos lënduar mikun e tij Vuçiç’. Nuk është vetëm qëndrimi i tij mohues ndaj rolit dhe cështjes së Kosovës, por sot vihet në dyshim e ardhmja jonë europiane e një rajoni që është dhe i takon vlerave perëndimore”, deklaron zv.Kryetari i PL.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë