Nga Gazeta ‘Si’ – Një ditë para takimit në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, pala serbe thekson, se në takimin e 16 nëntorit diskutohet drafti i statutit të Asociacionit. Ndërsa Qeveria e Kosovës nuk ka konfirmuar por as mohuar një gjë të tillë.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç takohen të enjten me ftesë të ndërmjetësit evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ky i fundit një ditë më parë ishte në Beograd ku takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Lajçak, pas vizitës në Beograd, shkroi se me presidentin Vuçiç dhe kryenegociatorin Petkoviç, “diskutoi mbi rrugën përpara në dialog”.
Raundi i ri i dialogut në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç më 26 tetor zhvilluan takime të ndara në Bruksel me liderët e BE-së, Presidentin e Francës, Kancelarin e Gjermanisë dhe kryeministren e Italisë.
Scholz, Macron dhe Meloni, i kërkuan Kosovës që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa, Serbisë të njohë de facto pavarësinë e Kosovës.
Pas takimit të 26 tetorit në Bruksel me udhëheqësit kryesor evropianë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se “ishte i gatshëm të nënshkruante projektin për Asociacionin”. Nga ana tjetër Vuçiç, propozimin për Asociacionin e ka cilësuar si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve, por disa herë e ka theksuar qartë se, “nuk do të pranojë asgjë që çon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”, pavarësisht kërkesës ndërkombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




