Nga Gazeta ‘SI’ – Nesër më datë 11 dhjetor 2025, do të zgjidhet kreu i ri i Strukturës së Posaçme.
Këtë zhvillim të rëndësishëm, e komentoi edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Silvio Gonzato, teksa zhvilloi një takim me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku u diskutuan mënyrat për të rritur efikasitetin, cilësinë dhe integritetin në sistemin e drejtësisë.
Gonzato në takim shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do tregojnë nivel tepër të lartë përgjegjshmërie dhe do të sigurojnë, që SPAK të drejtohet nga një individ me integritet të lartë, person i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira, që kërkon BE-ja.
Ndërkaq, edhe Ambasada e Britanisë së Madhe ka reaguar për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, proces që do të zhvillohet nesër.
Sipas njoftimit të Ambasadës Britanike në rrjetet sociale, zgjedhja e drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.
“Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente.
Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer”, thuhet në njoftimin e ambasadës së MB.
Më 11 dhjetor 2025, në orën 09:00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë procesin e intervistimit të kandidatëve për postin e drejtuesit të SPAK, duke i thirrur ata sipas rendit alfabetik. Gjatë seancës, katër pretendentët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho — do të prezantojnë vizionin dhe programin e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



