Politike

Nesër mbyllet komisioni hetimor, PD kërkon tjetër shtyrje dhe dëshmitarë Vilma Nushin e Edi Ramën, Vokshi: Do i kemi këtu me patjetër

Nga Gazeta Si- Dita e nesërme është e fundit e Komisionit hetimor të Shëndetësisë ku pritet të dëshmojë edhe ish ministri Ilir Beqaj. Ndërkohë, opozita kërkon që punimet të shtyhen për herë të dytë pasi sipas tyre, nuk është ezauruar lista e dëshmitarëve.

Deputetët anëtarë të opozitës kërkojnë dëshminë e Vilma Nushit dhe Edi Ramës por nënkryetari Plarent Ndreca refuzon pasi thotë se nuk kanë lidhje të ftohen.

Deputeti Edmond Spaho tha se s’mund të mbyllet komisioni pa deponimin e Vilma Nushit dhe Edi Ramës. Koncesionet janë dhënë me firmën e Edi Ramës. Pa dëgjuar kryeministrin e pa dëgjuar përfituesen kryesore të koncesionit nuk mund ta mbyllim. Propozoj që të enjten të kërkojmë shtyrje të këtij komisioni.

Ndërkohë Plarent Ndreca tha se arsyeja pse nuk thirret Nushi është sepse nuk ka lidhje me kontratën e Check-up ndërsa deputetët e tjerë të PS thanë se nuk mund të shtyhet komisioni për herë të dytë.

“Nuk ka ndodhur kurrë që një komision të shtyhet për herë të dytë dhe përderisa kjo po ndodh, tregon një performancë të ulët të komisionit”, tha anëtarja Edona Bilali.

Vokshi nga ana tjetër tha se komisioni nuk mbyllet pa ardhur njeriu kyç.

“Do ta kemi përballë sesbën. Kemi rënë dakord për të gjithë listën. Vetëm për Edi Ramën nuk ke rënë dakord”, tha Vokshi ndërkohë që Ndreca e mohon këtë, duke thënë se në asnjë moment nuk ka rënë dakord që pjesë e listës së dëshmitarëve të jetë Nushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë