Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët myslimanë se muaji shenjtë i Ramazanit fillon nesër (e premte) më 24 prill.
Kryetari i Komunitetit Mysliman në urimin e tij për këtë muaj të shenjtë shprehet se situata e krijuar nga koronavirusi ka bërë që ky muaj të realizohet në një atmosferë ndryshe.
“Të nderuar besimtarë, nesër, më 24 prill fillon Muaji i Bekuar i Ramazanit. Kam kënaqësinë dhe nderin të uroj në emrin tim personal dhe në emrin e institucionit që përfaqësoj të gjithë besimtarët myslimanë nga Shqipëria, trevat shqiptare, diaspora dhe më gjerë: Gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.
Jemi mësuar që Ramazanin ta presim me namazin e teravive, me përqafimet vëllazërore, me lutjet e përbashkëta krah në krah, por këtë Ramazan po e presim me një atmosferë ndryshe”, shprehet kreu i KMSH.
Kreu i KMSH thotë se ky Ramazan do ta përjetojmë në një rreth të ngushtë familjar dhe pa tubime.
“Situata e krijuar nga Covid-19 na ka detyruar që Ramazanin këtë vit ta përjetojmë kryesisht brenda një rrethi të ngushtë dhe familjar. Me shpresën dhe lutjet që tubimet për teravi, namaze nate dhe përjetimi i këtij muaji në xhemat të kthehet sa më shpejt.
Feja Islame i ka dhënë një rëndësi të madhe xhematit, adhurimeve të përbashkëta në grup, por Allahu i ka dhënë mundësinë njeriut që ta adhurojë Atë edhe individualisht. Kjo vlen edhe për Ramazanin”, thotë ai.
Ai thotë që në këtë situatë të vështirë që ndodhemi, le të lutemi që të dalim sa më shpejt nga kjo situatë.
“E nisim këtë muaj me sihariqin që Allahu na jep në Kuranin famëlartë në suren Inshirah ku thuhet: “E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi”.
Muaji i Ramazanit është muaji i durimit, i lutjes, i Kuranit, i bujarisë, është muaji i dashurisë, vlerave njerëzore, respektit dhe dorëzimit ndaj Krijuesit.
Gjatë këtij muaji të rizgjojmë ndjenjat e bukura, të ndezim shpresat, të pastrojmë ndërgjegjet dhe të lutemi sa më shumë, sepse mëshira e Zotit në këtë muaj është e pakufishme”, shprehet kreu i KMSH.
Ndër të tjera, ai thotë se në një situatë që nuk mundemi të realizojmë iftare të përbashkëta, le të japim sa më shumë ndihmë për familjet në nevojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




