Treg

“Po s’nisi transporti të hënën, protesta në gjithë vendin”

Qeveria premton një pagë minimale për qershorin, por asnjë sinjal për rinisjen e aktivitetit. Shoqatat kërkojnë takim me kryeministrin.

Shoqatat e transportit publik në vend kanë protestuar sërish ditën e sotme (të premten) tek Bulevardi i Ri, tek Lokomotiva në mënyrë simbolike sipas tyre për ti thënë qeverisë që “mos vrisni transportin publik të autobusëve siç vratë trenin”.

Ata i rikujtuan edhe një herë qeverisë kërkesat e tyre nga të cilat nuk tërhiqen.

Heqja e akcizës së naftës, ulja e TVSH-së së biletës, korrigjimi i protokollit të sigurisë.

Pas plotësimit të menjëhershëm të këtyre kërkesave, shoqatat po në mënyrë urgjente kërkojnë të rihapet aktiviteti sepse janë 10 mijë vetë pa punë.

 “Nuk ka ardhur asnjë për të na dëgjuar. Ju bëj thirrje që të mos e vrasin transportin publik. Ne paguajmë taksa dhe nuk janë marrë parasysh kërkesat tona. Kemi më shumë se dy muaj që i bëjmë të ditura kërkesat. Ne e kemi të pamundur që të rifillojmë shërbimin në këto kushte. Ne kërkojmë rishikimin e protokollit të sigurisë. Nëse nuk rishikohet, nëse nuk bëhet i mundur operimi sipas modelit në çdo vend të botës, pasi e ka bërë edhe Europa, nuk punojmë dot. Këtu te ne nuk është funksionale aspak. Nuk mund të jetë përgjegjësi e operatorëve të transportit sjellja e pasagjerëve në bord. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit dhe gjithë personave të deleguar prej tij që të reflektojnë që të na thërrasin në një tryezë, pasi nuk jemi ulur deri më tani. Kërkesat tona janë shumë të qarta, por nëse nuk i ka të qarta qeveria, ne pranojmë të ulemi dhe t’i sqarojmë”- është shprehur kreu i shoqatës Kombëtare të Transportit Urban, Rixhin Qoshja.

Në të njëjtën kohë me protestën në Tiranë, ditën e sotme (të premten)  edhe anëtarët e Shoqatës së Transportit Publik në Kukës kanë zhvilluar një protestë për plotësimin e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë.

Edhe ata kërkojnë pagën e luftës për qershorin, heqjen e akcizës së naftës, kompensimin e kapacitetit të munguar prej 30% dhe korrigjim të Protokollit të Sigurisë.

Kurse Kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas Kujtim Mema, i cili as sot nuk i është bashkuar protestës së kolegëve, është shprehur për gazetën “Si” se “paga shtesë për qershorin është garantuar në masën 26 mijë lekë. Por nuk kemi asnjë sinjal ende se kur do të nisim dhe plotësimin e kërkesës për uljen e TVSH-së. Nëse nuk do të nisim nga puna të hënën, do të protestojmë edhe ne në qarqe”

Copyright © Gazeta “Si”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë