Financa Personale

Nëse merr makinën e vëllait dhe bën aksident nuk të paguajnë sigurimet

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare u ka vendosur para tavolinave deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë një projektligj të ri për sa i përket sigurimit të detyrueshëm për automjetet.

Ky projektligj i cili thuhet nga AMF se  është i bazuar në ligjin serb dhe atë italian po kundërshtohet nga Shoqata Kombëtare për ndihmën e të Aksidentuarve. Sipas specialistit të sigurisë rrugore dhe anëtarit të kësaj organizate, Gëzim Hoxha, ky projektligj favorizon kompanitë e sigurimeve dhe jo qytetarin.

Gëzim Hoxha ekspert për sigurinë rrugore

Projektligji i hartuar nga AMF, parashikon se personi që nuk është pronar i automjetit që ka në përdorim (rastet kur një qytetar i merr makinën hua një shoku ) në rast aksidenti, duhet të vërtetojë se e ka marrë me autorizim nga pronari automjetin.

Problemi qëndron se ligji nuk parashikon formën që duhet marrë autorizimi, pasi ai mund të jetë edhe gojor si ndodh në shumicën e rasteve kur përdorim makinën e miqve tanë, por një autorizim i tillë nuk njihet nga gjykata, në rastet kur i aksidentuari kërkon dëmshpërblim.

“Ligji nuk ka rrjedhë logjike, është një lojë për të favorizuar kompanitë e sigurimeve, është ndërtuar për të lodhur qytetarin dhe jo për t’i dhënë një zgjidhjeje”, thotë Gëzim Hoxha.

Hoxha shton se për ndryshimin e një ligji duhet të kryhet një studim dhe se AMF duhet të kishte dhënë shkaqe sociale dhe ekonomike, për të cilat ka kërkuar ndryshimin e ligjit.

“Në thelb vet ky projektligj është për të paguar sa më pak ndaj atyre që kërkojnë dëmshpërblim nga aksidentet, ndërsa direktiva e BE-së thotë se edhe kur i aksidentuari është fajtor duhet të dëmshpërblehet”, shton Hoxha.

Gjithashtu ky projektligj nëse miratohet sipas Gëzim Hoxhës do të përplaset edhe me ligjin e avokatisë, pasi një prej neneve të tij parashikon se avokati mbrojtës i të aksidentuarit duhet të marrë si pagesë vetëm 5% të vlerës së dëmshpërblimit, duke bërë që asnjë avokat mos të ketë interes që të mbrojë një çështje për dëmshpërblim nga aksidenti.

Ky projektligj në nenin 10 paragrafi 8 thotë se: “Shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit në llogarinë bankare personale të të dëmtuarit ose përfituesit. Pala e dëmtuar ose përfituesi në rast se merr shërbim nga mbrojtësi ligjor, mund t’i paguaj deri në 5% të vlerës së dëmshpërblimit të përfituar”.

Nga ana tjetër i pyetur nëse projektligji miratohet do të ketë një “përplasje” me ligjin e avokatisë për shkak të nenit 10, paragrafi 8, juristi dhe avokati Roden Hoxha, shprehet se nuk ka asnjë përplasje.

“Në këtë rast është e qartë që nuk kemi konflikt mes normave ligjore në fuqi dhe projektligjit të propozuar nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, për sa kohë dhe vet ligji për profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë, e ka parashikuar mundësin e vendosjes nga sovrani (Parlamenti) të limiteve të përcaktuara me ligj specifik për shërbimet të caktuara në fusha specifike të së drejtës”, shprehet ai duke shtuar se: “ Për më tepër, ligji në fuqi ka përcaktuar dhe limitimin e shpërblimeve të mëtejshme të avokatit, në asnjë rast, përtej sa është përcaktuar në marrëveshjen mes palëve, apo parashikimit ligjore në fuqi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë