Irena Beqiraj

“Nëse do të ndihmosh dikë, hesht dhe dëgjoje”


Ernesto Sirollin, një italian shumë simpatik dhe elokuent e njoha nëpërmjet TED Talks përmes një rrëfimi interesant "Nëse do të ndihmosh dikë, hesht dhe dëgjoje". Ai rrëfente:

Një nga projektet e para të ndihmës italiane në Afrikë ishte rritja e kapaciteteve në agrobiznes. Me farat italiane, mbërritëm në Zambian jugore në një luginë absolutisht të mrekullueshme afër lumit Zambezi, me qëllimin e vetëm që t’ju mësonim banorëve lokalë se si të rrisnin domate dhe kunguj italianë. Sigurisht që vendësit nuk shprehen absolutisht asnjë interes për t’u marrë me këtë gjë, kështu që, për të rritur interesin e tyre ne vendosëm t’i paguanim mirë, edhe pse sërish ato ndonjëherë në të rrallë paraqiteshin në punë.
Ne ishim aq të mrekulluar nga bukuria dhe pjelloria e asaj lugine dhe pyesnim veten si ka mundësi që vendësit nuk rrisnin asgjë. Të ekzaltuar falënderonim Zotin që ishim aty, në kohën e duhur për të shpëtuar popullin zambian nga uria.
Dhe natyrisht, gjithçka që mbollëm në atë luginë u rrit e shëndetshme dhe cilësore. Nuk mund të prodhohej kurrë në Itali ajo domate që prodhohej në atë luginë çudibërëse. Nuk mund ta besonim dhe ju tregonim vendësve me krenari "Shikoni sa e lehtë është bujqësia".
Shumë pak ditë para se t’i mblidhnim frutet e punës tonë 200 Hipopotamë dolën nga lumi dhe kishin ngrënë gjithçka. Vendësit të qetë na treguan që kjo ishte arsyeja përse nuk mbillnin në atë luginë “Pse nuk na keni thënë, - ishte pyetja e thjeshtë dhe trishtuese e grupit italian për vendësit , të cilët u përgjigjën në mënyrë edhe më të thjeshtë dhe më trishtuese. - "Ju nuk na keni pyetur kurrë".

Por krahasuar me çfarë ishin duke bërë ndërkohë grupet ndërkombëtare amerikane, angleze, franceze në atë kohë në Afrikë, grupi italian ku bënte pjesë Ernesto Sirolli mund të ishte krenar, pasi të paktën ia kishin dalë të ushqenin hipopotamët.

Misionarët ndërkombëtarë në vendet në zhvillim jo fare rastësisht janë sjellë dhe sillen si shpëtimtarë e paternalistë. Në sytë e publikut duket sikur kanë prurë nga vendet që vijnë paketën e plotë të zgjidhjeve të problemeve.
Shpesh gjenden në këtë pozicion jo me zgjedhje të vullnetshme. Në rrethanat e konfliktit të vazhdueshëm politik midis palëve, në mungesë të argumenteve të qarta pas çdo vendimmarrjeje politike, ekonomike apo ligjore, në mungesë të kurajës për të pranuar kostot e veprimeve apo mosveprimeve tona i kemi shndërruar ata në arbritrat edhe matësit e vetëm të të vërtetave tona.
Dëgjova kryeministrin, në një rrëfim të sinqertë do të thosha, i cili tregonte se sa shumë diplomatë aplikonin për të shërbyer në Tiranë. Unë e besoj fort, që është më shumë interesante të jesh ambasador në Shqipëri sesa në Francë.
Ka adrenalinë, je në qendër të vëmendjes. Shqiptarët njohin çdo ditë e më shumë ambasadorët e rrallë e më rrallë ministrat. Për çdo çështje të brendshme sado e vogël, çfarë qëndrimi mbajnë ambasadat e huaja ,është qendra e rëndesës së problemit.
Edhe pse shpesh çështjet janë tërësisht jashtë kontekstit të zakonshëm e rutinor të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, qëndrimi që do të mbajnë misionarët e huaj janë lakmuesi i vetëm i vlerësimit të performancës së aktorëve politikë apo jopolitikë shqiptarë.

Në Francë, për opinionin publik, nuk ka interes të veçantë se çfarë mendojnë ambasadat e huaja të vendosura aty, për protestat, për reformën në pensione apo zgjedhjet presidenciale.
Aty mëngjesi rutinor e i zakonshëm i një ambasadori nis bashkë me kafen e mëngjesit dhe përgatitjet për të dalë në zyrë, me tregimin e ethesh e mbase të lodhshëm të gruas së tij, mbi darkën e djeshme të grave të ambasadorëve dhe komenteve se kush ishte veshur më bukur.

Ndërsa në Shqipëri shumë prej këtyre misionarëve diplomatikë siç thotë Ernesto Siroli ndihen “të ekzaltuar dhe falënderojnë Zotin që janë këtu, (jo vetëm për shkak të bukurive që nuk i mungojnë Tiranës), por më së shumti se janë në kohën e duhur në një vend që ka nevojë për ndihmë”. Kjo ndjesi është burimi më i qenësishëm i adrenalinës për qeniet njerëzore.

Respekti i këtij vendi nuk do të mungojë për asnjë nga misionarët e huaj, qoftë për ata që u qëndruan strikt objektivave diplomatike pa u përzierë në punët e brendshme, qoftë për ata që ndiejnë që janë në vendin e duhur, në kohën e duhur për të ndihmuar. Por, në memorien tonë afatgjatë do të mbeten të gjithë ata misionarë diplomatikë, të cilët përtej takimeve me funksionarë të lartë partiakë e qeveritarë, tek të cilat u konfuzionuan herë me Shqipërinë e lulëzuar të qeverive, edhe herë me Shqipërinë e shkatërruar të opozitave, e njohën Shqipërinë e vërtetë dhe nevojat e saj nga koha e harxhuar me njerëzit e thjeshtë. I njohën nevojat e Shqipërisë nga rrëfimet e atyre që nuk prisnin mbështetje pushtetin e tyre, apo një vlerësim pozitiv performance. Në memorien tonë afatgjatë do të mbeten të gjithë ato diplomatë, të cilët biseduan me shqiptarët pa kamera, pa gazetarë e pa këshilltarë të marrëdhënieve me publikun, dhe kur patën mundësi e ofruan ndihmën e tyre apo dhe imponuan edhe zgjidhje në heshtje e pa zhurmë.


Copyright © Gazeta “Si”