Gazeta Si – Inteligjenca artificiale është një nga fushat e pakta të teknologjisë ku retorika komerciale përqendrohet në performancë, me pak ose aspak theks në kosto dhe konsum.
Ndoshta, sepse këto janë pika e saj më e dobët: i gjithë sektori mbështetet në një zinxhir prodhimi jashtëzakonisht të gjatë, në supozimin e burimeve jashtëzakonisht të mëdha dhe në investime të mëdha, të vështira për t’u shlyer.
Kjo është arsyeja pse është folur prej kohësh si një flluskë e mundshme financiare. Nëse me të vërtetë është, sipas disa analistëve, atëherë ajo flluskë mund të shpërthejë së shpejti për shkak të krizës globale të energjisë të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, me pasoja për të gjithë ekonominë globale.
Kjo hipotezë është diskutuar nga ekspertë të ndryshëm për javë të tëra, bazuar në analizën dhe parashikimet e të dhënave ekonomike, por edhe në konsiderata mjaft intuitive.
Lufta po përmbys politikat dhe prioritetet e shumë vendeve në lidhje me kërkimin dhe furnizimin me energji dhe do të ishte e paarsyeshme të pritej që ajo të mos kishte një ndikim të thellë në “një nga shpikjet më intensive të energjisë ndonjëherë” dhe në një zinxhir furnizimi, “në gjendje të kalojë më shumë se 70 kufij para se të arrijë te konsumatori përfundimtar”, siç e përshkroi ekonomisti britanik Tej Parikh në një artikull të kohëve të fundit në “Financial Times”.
Kriza energjetike, më e rënda në dekada, ka prekur kryesisht vendet në Azinë Lindore dhe Jugore, nevojat e të cilave për energji varen kryesisht nga gazi natyror dhe nafta nga Gjiri Persik, të cilat janë ende të nevojshme për të gjeneruar energji elektrike.
Dy nga këto vende, Koreja e Jugut dhe Tajvani, janë shtëpia e “Samsung”, “SK Hynix” dhe “TSMC”, tre kompanitë përgjegjëse për pjesën më të madhe të prodhimit të çipave të memories dhe gjysmë-përçuesve të nevojshëm për të furnizuar me energji sistemet e Inteligjencës Artificiale dhe qendrat e të dhënave (si dhe telefonat inteligjentë, makinat, pajisjet dhe shumë më tepër).
TSMC e Tajvanit prodhon pothuajse të gjitha çipat e Inteligjencës Artificiale të nivelit të lartë të projektuar nga “Nvidia”, aktualisht kompania më e vlefshme në botë.

Me fjalë të tjera, nëse kërkesat për energji të dy vendeve nuk plotësohen, prodhimi global i gjysmë-përçuesve vuan.
Dëshmi e vështirësive të industrisë, është se kjo situatë po e bën një qasje të lënë pas dore më parë thelbësore në fushën e AI-së: efikasitetin e energjisë.
Ndërsa në pjesën tjetër të sektorit të teknologjisë, ulja e konsumit dhe rritja e autonomisë janë objektiva të njohura prej vitesh, efikasiteti është bërë vetëm kohët e fundit një domosdoshmëri në zhvillimin e sistemeve të AI-së.
CEO i “Nvidia”-s, Jensen Huang, shkroi në mars se nevoja për ta bërë performancën e AI-së “të shkallëzueshme” – domethënë, të zgjerueshme sipas nevojës pa rritur proporcionalisht kostot – do të varet nga aftësia për të projektuar çipa ndryshe.
Por nuk është e thënë të prodhohen çipa të tillë pa rritur kostot e prodhimit, në një sektor që është karakterizuar gjithmonë nga mungesa e një modeli biznesi të qëndrueshëm.
Pasiguria që rrethon të ardhmen e AI-në për shkak të pasojave të luftës në Lindjen e Mesme, ndikon gjithashtu në furnizimin me burime të tjera materiale, përtej energjisë së nevojshme për ta zhvilluar atë.
Për të prodhuar pllaka silikoni (materiali gjysmë-përçues mbi të cilin ndërtohen qarqe të vogla të integruara), tre elementë në veçanti janë shumë të vështirë për t’u zëvendësuar: heliumi, squfuri dhe bromi. Dhe të tre vijnë kryesisht nga rajoni i Gjirit.
Para luftës, rreth një e treta e furnizimeve botërore me helium, i përdorur për të ftohur wafer (silikon gjysmë-përçues i përdorur në teknologji në sektorin energjisë), vinte nga Katari (një nga fabrikat kryesore, në Ras Laffan, u bombardua). Deti i Vdekur është rezerva më e madhe në botë e bromit, materiali standard për prodhimin e wafer-it.
Sa i përket squfurit, i përdorur për të hequr papastërtitë nga copat, rreth gjysma e squfurit të transportuar nga deti në të gjithë botën kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit të kontrolluar nga Irani. “Sa më gjatë të mbetet e mbyllur, aq më serioze do të jenë pasojat”, shkroi Parikh.

Përveç furnizimeve me lëndë të para dhe infrastrukturës energjetike, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet e tjera të Gjirit janë gjithashtu thelbësore, sepse janë investitorë që blejnë shumicën e çipave.
Nëse lufta vazhdon, çmimet e çipave do të rriten, pasi prodhuesit do të fillojnë të racionojnë furnizimet dhe të konkurrojnë për furnizime të pakta.
Në atë pikë, vlerësimet e kompanive do të binin ndjeshëm dhe pasojat do të ishin afatgjata, sepse edhe nëse lufta do të mbaronte nesër, do të duheshin muaj për të rivendosur të gjithë zinxhirin e furnizimit.
Për të përcaktuar situatën aktuale, disa ekspertë kanë përdorur termin “polikrizë”, i cili u bë popullor pas pandemisë nga ekonomisti britanik, Adam Tooze, i cili e përdori atë për të përcaktuar një situatë në të cilën kriza të shumëfishta, por të ndërlidhura, ndodhin njëkohësisht dhe amplifikojnë njëra-tjetrën në mënyra të paparashikueshme.
Duke folur për “Foreing Policy”, vetë Tooze tha së fundmi se ndjeshmëria ekstreme e kompanive të AI-së ndaj luhatjeve në çmimet e energjisë dhe furnizimet me helium, i bën ato jashtëzakonisht të prekshme.
Dhe se kombinimi i mungesave të energjisë dhe sasisë së madhe të kapitalit të huazuar për të mbështetur sektorin rrit rrezikun e një krize.
Gazetarët e respektuar të teknologjisë së “The Athlantic”, Matteo Wong dhe Charlie Warzel, kanë shkruar gjithashtu për industrinë e AI-së si një polikrizë, duke e zgjeruar perspektivën edhe më tej.
Në muajt e fundit të vitit 2025, pothuajse e gjithë rritja ekonomike në Shtetet e Bashkuara ka ardhur nga investimet në sektorin e AI-së, të cilin shumë analistë të Wall Street-it, megjithatë, e konsiderojnë një flluskë.
“Nëse rritja do të ngecë ose nëse teknologjia do të perceptohej si e paaftë për të përmbushur premtimin e saj, flluska mund të shpërthejë, duke shkaktuar një reaksion zinxhir në të gjithë sistemin financiar”, shkruan Wong dhe Warzel.
Sipas disa ekspertëve dhe këshilltarëve financiarë të intervistuar nga “The Atlantic”, perspektiva e një kolapsi të tregut të inteligjencës artificiale është shndërruar nga hipotetike, në të besueshme dhe pothuajse të pashmangshme, duke pasur parasysh se një krizë globale energjetike duket e afërt dhe jashtëzakonisht serioze edhe në skenarin më të mirë.
Dhe kolapsi do të kishte pasoja për të gjithë tregun e aksioneve, sepse financuesit privatë dhe bankat kanë blerë borxhin e kompanive të teknologjisë me besimin e marrjes së fitimeve të mëdha. Të gjithë do të prekeshin, “edhe ata që nuk kanë idenë se çfarë ka në fondin e tyre të pensioneve”.
Kriza shumëpalëshe, e përcaktuar nga fakti se brishtësitë janë transnacionale dhe të ndërlidhura, do të ishte një nga ndryshimet kryesore krahasuar me, për shembull, krizën financiare të vitit 2008, të shkaktuar nga shpërthimi i flluskës së pasurive të paluajtshme.
Një tjetër është se brishtësia e një sektori të vetëm, në këtë rast AI-së, do të ndikonte në stabilitetin e “disa prej kompanive më të mëdha në historinë e kapitalizmit”, vërejnë Wong dhe Warzel.

Microsoft, Google, Meta dhe Amazon ofrojnë shërbime cloud dhe operojnë qendra të dhënash në një shkallë masive dhe së bashku kanë investuar qindra miliarda dollarë në infrastrukturën e AI-së.
Për ta bërë këtë, ato kanë marrë borxhe të mëdha, pjesërisht me firma private të kapitalit të specializuara në huadhënien e kompanive private.
Këto janë kompani, si Blackstone, BlackRock dhe Blue Owl, të cilave fondet e pensioneve, fondet e sigurimeve dhe institucione të ndryshme financiare u besojnë kapitalin e tyre për investime.
Ato veprojnë si banka “de facto” dhe me kalimin e kohës janë bërë po aq të fuqishme dhe me ndikim sa bankat e falimentuara të investimeve “Bear Stearns” dhe “Lehman Brothers” para vitit 2008.
“Të gjithë janë të përfshirë në këtë sistem. Bankat u japin hua para kredive private, të cilat nga ana tjetër i japin hua diku tjetër.
Kjo rrit rrezikun”, tha për “Atlantic”, Brad Lipton, drejtor i Institutit Roosevelt dhe ish-konsulent i një agjencie qeveritare për mbrojtjen financiare të konsumatorëve.
Ndryshimi po fillon të shfaqet edhe nga luhatjet në çmimet e aksioneve të kompanive të mëdha. Në vitet e fundit, me çdo investim të ri në qendrat e të dhënave, vlera e tyre është rritur.
Investimet tani janë më të mëdha se më parë, por po përhapet kuptimi se ato nuk po gjenerojnë as afër të ardhurat e nevojshme.
Që nga fillimi i vitit 2026, kompanitë kryesore përgjegjëse për zhvillimin masiv të qendrave të të dhënave – Google, Meta, Microsoft, Amazon, Nvidia dhe Oracle – kanë humbur midis 11 dhe 29 përqind të vlerës së tyre.
Një tjetër ndikim i luftës në Lindjen e Mesme në investimet financiare është se ajo ka ekspozuar cenueshmërinë fizike të infrastrukturës nga e cila varet zhvillimi i IA-së.
Qendrat e të dhënave janë bërë shënjestra, siç dëshmon sulmi me dron i Iranit në qendrat e të dhënave të Amazon në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein në fillim të marsit, në një zonë ku kompanitë e mëdha amerikane kishin planifikuar të ndërtonin shumë të tjera.
Disa parashikime inkurajuese në lidhje me stabilitetin ekonomik të kompanive të tjera – duke përfshirë kompanitë e AI-së, veçanërisht OpenAI dhe Anthropic – tregojnë se tregu i AI-së mund të qëndrojë ende dhe të mos zhduket si, Wile E. Coyote, shkroi “Wall Street Journal”.
Ndër të tjera, shtoi ajo, luftërat historikisht nuk kanë një ndikim të qëndrueshëm në aksionet amerikane. Por lufta në Lindjen e Mesme megjithatë ka ekspozuar disa çështje kritike në industrinë e Inteligjencës Artificiale që tani janë të vështira për t’u fshehur.
Siç shkroi Parikh në “Financial Times”, nëse regjimi iranian mbijeton, ai do të dijë se mund ta përdorë mbylljen e Ngushticës si armë në të ardhmen sa herë që tensionet me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin të rishfaqen.
Dhe në përgjithësi, sipas Wong dhe Warzel, lufta ka treguar se kompanitë e mëdha “kanë dhënë përparësi shpejtësisë mbi sigurinë fizike të qendrave të të dhënave, tepricën e zinxhirit të furnizimit, efikasitetin dhe pavarësinë e energjisë, stabilitetin politik dhe madje edhe kthimet financiare”. Dhe duke ndjekur këtë qasje, ato kanë ndikuar në të gjithë ekonominë.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje