Futboll

Nerva dhe tension në derbi, Partizani mban larg Tiranën me një barazim

Gazeta Si – ‘Paqe’ në derbi vetëm sa i takon rezultatit. Pjesa tjetër, ajo e fushës dhe e shkallëve të stadiumit ‘Air Albania’, ishte e mbushur me tension dhe nervozizëm.

Tirana-Partizani përfundoi 1-1. Në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të të Superiores, dy skuadrat e kryeqytetit kanë ndarë nga një pikë, rezultat që i leverdis Partizanit, sepse e mban Tiranën 7 pikë prapa në renditje (29 ndaj 22). Për më tepër, të kuqtë kanë edhe një ndeshje më pak, atë me Teutën, që do ta luajnë mesjavën e ardhshme.

Pjesa e parë ishte më e mirë për Tiranën dhe u konkretizua vetëm me golin e Hasanit. Për Partizanin barazoi Alber Keko, i aktivizuar si zëvendësues. Të dyja skuadrat patën edhe raste të tjera për shënim, ku veçohet një i Latifit te bardheblutë.

Nuk munguan incidentet me tifozët, të cilët sërish hodhën tymuese, duke vonuar startin e derbit, por edhe thyen stolat plastikë dhe i hodhën në fushë, madje duke goditur Najdovskin te Tirana dhe portierin Qirko te Partizani.

Sa i takon nervozizmit në fushë, në një moment Rrapaj dhe Doka rrezikuan të ndëshkoheshin me karton të kuq, pas një zënke mes tyre. Dy lojtarët e humbën qetësinë, megjithatë ia hodhën vetëm me një karton të verdhë nga arbitri Juxhin Xhaja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë