Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të ish-presidentit të Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda dhe zëvendëses së tij, Aurela Guri, të cilët akuzohen për tre vepra penale.
Deda u arrestua më 15 qershor të këtij viti, pasi dyshohet se pavarësisht se gjykata kishte urdhëruar pezullimin e tij nga detyra në nëntor 2023, ai vijonte me vendimmarrjen e tij të paligjshme në institucion.
Sipas Prokurorisë, Deda në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin e njerëzve pa kriter, familjarë të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016.
Ai u denoncua për shpërdorim të fondeve dhe se ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke rritur buxhetin e ‘Urdhrit të Stomatologut’ nga viti në vit.
Sipas prokurorisë, që prej vitit 2016 Nikoll Deda ka kryer nepotizëm duke punësuar familjarë të tij me qëllim manipulimin e vendimmarrjes në këshillin kombëtar të institucionit ku votohej për buxhetin i cili nga viti në vit pësonte rritje.
Edhe zëvendësja e tij, Aurela Guri, sipas prokurorisë ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke marrë vendime të caktuara financiare për buxhetin e vitit 2024 duke autorizuar zbatimin e buxhetit të përkohshëm për një periudhë të caktuar kohore.
Ajo u emërua si zëvendëse e Dedës në kundërshtim me vendimin e gjykatës në 2020-ën kur institucioni ishte nën masë sigurimi.
Nikoll Deda akuzohët për ‘Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën’, ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës’ ndërsa Aurela Guri akuzohet për shpërdorim detyre dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



