Prodhuesi britanik i vaksinave kundër koronavirusit, AstraZeneca, refuzoi të marrë pjesë në një takim me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, të planifikuar për të mërkurën. Lajmi u konfirmua nga zyrtarë europianë dhe vjen pasi Brukseli paralajmëroi kompaninë britanike të dorëzonte të gjitha dozat e premtuara, duke thënë se do të bllokonte të gjitha eksportet e vaksinave të Pfizer jashtë BE-së. Astrazenerca raportohet se po i jep Britanisë dozat e ndara për BE-në duk i dhënë unionit vetëm një të tretat e vaksinave të përcaktuara në kontratë.
“Mund të konfirmoj se për sonte kishim të planifikuar një komitet drejtues mbi strategjinë e vaksinimit dhe përfaqësuesit e AstraZenecas na informuan këtë mëngjes se nuk do të marrin pjesë”, tha për gazetarët zëdhënësja e Komisionit Europian, Dana Spinat.
Komisioni Evropian, në emër të shteteve anëtare të BE-së, ka nënshkuar marrëveshje me AstraZenecan për 400 milionë vaksina. Dyshimet se kompania po dërgon doza të vaksinës në vende të tjera, me një çmim shumë më të lartë, kanë bërë që Komisioni Europian të vendosë për krijimin e një mekanizmi, që e ndalon eksportin e vaksinave kundër koronavirusit pa njoftim paraprak.
Vaksinat e AstraZenecas duhet të marrin miratimin nga Agjencia Evropiane e Barnave këtë javë dhe unioni i ka dhënë kompanisë miliona euro për rritjen e kapaciteteve të prodhimit përpara marrjes së miratimit.
Në rrezik është vetë reputacioni i BE-së:Si mund të krenohet ajo me “modelin e saj shoqëror” nëse nuk mundet të mbrojë as qytetarët e saj më të rrezikuar dhe të nëpërkëmbet nga kompanitë farmaceutike.
Dështimet e BE-së filluan që me porositë e para të vaksinave. Ndërsa krijoi një portofol gjithëpërfshirës shumë kohë përpara se të aprovoheshin të gjitha vaksinat, BE ishte shumë e ngadaltë dhe konservatore me zhvillimet më premtuese:vaksinat bazuar në teknologjinë inovative të ARN mesazhere (mRNA) nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna.
EMA mbeti shumë pas Britanisë dhe SHBA-së në aprovimin e vaksinës së Pfizer. Vonesa e saj mbi miratimin e vaksinës së AstraZeneca është më e kuptueshme, duke pasur parasysh problemet që shoqëruan testet e saj (AstraZeneca nuk ka aplikuar ende për miratimin nga enti rregullator FDA në SHBA).
Shpërndarja e vaksinave anti-Covid në Evropë ka qenë e ngadaltë, sidomos në vende të tilla si Franca dhe Belgjika. Për më tepër ka pyetje nëse shtetet anëtare po bëjnë thirrjet e duhura se cilët duhet t`a marrin të parët vaksinën.
Në Itali vetëm 1 në 10 doza ka shkuar tek banorët e azileve, ndërsa gati 1 në 4 ka shkuar tek punonjësit e kujdesit shëndetësor që nuk janë mjekë ose infermierë. Ka shumë kuptim që të mbrohet personeli i spitalit, por ky ekuilibër nuk duket i duhuri. Një problem tjetër ka të bëjë me shpërdorimin e flakonëve.
Pra, çfarë mund të bëhet? Bashkimi Evropian po synon të bëjë si “kokë turku” për problematikën kompanitë farmaceutike. Të hënën zyrtarët e BE-së u takuan drejtuesit e lartë të AstraZeneca, dhe kërkuan shpjegime të detajuara për vonesën që po ndodh me dorëzimin e vaksinave, duke kërkuar që kompania të mbajë premtimet e saj.
Nga ana e saj,AstraZeneca fajëson për problemet një nga vendet europiane që ka marrë përsipër prodhimin e vaksinës. Por Komisioni Evropian druhet se ajo mund t’i ketë dhënë përparësi vendeve të tjera. “Shtetet anëtare të BE-së janë të bashkuara”- shkroi të hënën në Twitter Stella Kyriakides, Komisionere e BE-së për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit. “Prodhuesit e vaksinave kanë përgjegjësi shoqërore dhe kontraktuale, të cilat duhet që t’i mbajnë”- theksoi ajo. Qeveritë evropiane kanë çdo të drejtë që të kërkojnë zbatimin e kontratave që kanë nënshkruar me kompanitë e vaksinave.
Mbi të gjitha, BE ka paguar paraprakisht shuma të majme, duke pritur që dërgesat në fjalë të vijnë në kohë. Kontratat me kompanitë farmaceutike janë sekrete, por ka të ngjarë që ato t’u garantojnë prodhuesve të ilaçeve disa klauzola shmangieje nga përgjegjësitë në rastin e problemeve me furnizimin me vaksina.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.