Shfaqja e nën varianteve të reja të Covid-19 ka bërë që pandemia të zgjatet, edhe pse në vendin tonë rastet janë reduktuar ndjeshëm. Sipas ekspertëve të shëndetit publik në ISHP, duke qenë se nën varianti BA.2. është i përhapur në rajon, është vetëm çështje kohe përpara se ai të arrijë në Shqipëri.
Epidemiologu Alban Ylli i shpjegoi Gazetasi.al se nënvarianti BA.2. ka transmetueshmëri më të lartë se sa Omicron B.A.1.
“Është duke u shndërruar në një variant dominues në botë. Në vendin tonë risku është i ulët për momentin por mund të rritet sërish”, shpjegoi Ylli.

Gjithashtu, eksperti i shëndetit publik, Artan Simaku nga ISHP është shprehur se BA.2 ka simptoma të njëjta me variantin e mëparshëm Omicron. Ai shton se situata paraqitet në trend në rënie, por pandemia nuk ka përfunduar.
“Eksperienca tregon çdo ditë e më shumë rëndësinë e vaksinimit për parandalimin e infektimit dhe uljen e numrit të rasteve. Është shumë e rëndësishme dhe doza përforcuese. Vaksina ofron mbrojtje edhe ndaj varianteve të reja edhe variantit BA.2,” tha ai.
Më herët shefja e shërbimit epidemiologjik në ISHP, Silva Bino, deklaroi se ky nën variant është përgjegjës për një rikthim rastesh të reja të Covid-19 në Europë.
“Deri më tani nuk ka të dhëna se ky variant qarkullon në vendin tonë. Mund të jetë prezent, por nga laboratorët nuk është konfirmuar. Ne kemi dërguar mostra në laboratorët e referencës dhe për 10 ditë presim një përgjigje”, shtoi Bino.
Bino shpjegoi më tej se është shumë e rëndësishme që të vaksinohen edhe gratë shtatzëna sepse ato janë të rrezikuara nga format e rënda të sëmundjes dhe lindjet e parakohshme.
“Vaksinimi nuk sjell asnjë gjë të keqe”, shtoi Bino.

Deri tani në vendin tonë kanë mbërritur mbi 3.1 milionë doza vaksine janë kryer 2,758,613 doza. Mbulesa vaksinale me dozë të parë për popullatën target (+16 vjeç) në Shqipëri është rreth 55%. Brenda këtij viti pritet të mbërrijnë 1 milion doza të vaksinës Pfizer si dhe do të vijojë furnizimi me vaksina edhe përmes instrumentit COVAX.
Ekspertët kanë shpjeguar se numri i riprodhimit të BA.2 mund të jetë deri në 12, që do të thotë se çdo person i sëmurë infekton mesatarisht 12 të tjerë. Kjo do ta vendoste atë në të njëjtin nivel me fruthin, i cili gjithashtu përhapet përmes ajrit.
Një nga karakteristikat Omicron 2 është edhe aftësia e tij për të shmangur pjesërisht mbrojtjen e vaksinave. Të dhënat nga OBSH dhe CDC tregojnë se kjo ka nxitur edhe rritjen e rasteve. Por, vaksinat vazhduan të mbronin njerëzit kundër sëmundjeve të rënda, veçanërisht ata që morën një dozë të tretë.
Studiuesit në Qendrën Mjekësore “Beth Israel Deaconess” në Boston përzien antitrupat nga njerëzit e vaksinuar me viruset BA.1 dhe BA.2 në enët Petri.
Studimi zbuloi se antitrupat e marrë nga njerëzit gjashtë muaj pasi ata morën dy doza, një vaksinë Pfizer ishte njësoj e dobët kundër BA.1 dhe BA.2. Por pasi njerëzit morën injeksione përforcuese, antitrupat e tyre funksionuan mirë në neutralizimin e të dy nënvarianteve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje