Nga Gazeta Si– Hajdutët në Tiranë vazhdojnë t’ua vënë fajin varfërisë dhe drogës si shtytëset më të mëdha që i detyrojnë të vjedhin. Këtë ka bërë edhe shtetasi A.P i moshës 40 vjeç, me arsim shtatë vjeçar, i cili sapo u identifikua për vjedhjen e një portofoli e kishte gati justifikimin: “I pranoj akuzat, por më kanë detyruar kushtet e vështira ekonomike për ta bërë një gjë të tillë si dhe përdorimi i drogës”, thuhet në fashikullin e policisë.
I vënë përpara provave të agjentëve, i riu konsiderohet si një person i skeduar më herët. Por kallëzimi që i çoi sërish policinë në derë të shtëpisë është ai i një vajze e cila gjendej në rrugën e Kavajës duke bërë pazar.
“Quhem O.SH dhe po bëja pazar. Kur hapa çantën për të paguar, vura re që ma kishin vjedhur portofolin. Brenda kisha 50 mijë lekë, kartën e identitetit dhe kartën e kreditit, patentën dhe dokumenta të tjera. Pas ngjarjes në fjalë njoftova shërbimin e klientit në bankë për të siguruar kartën e kreditit nga vjedhja e parave të tjera dhe punonjësit e bankës më vunë në dijeni se në orën 11:48 është tentuar për të tërhequr para nga banka në një nga bankomatet”.
Policia shkruan në dosje se banka e sipërpërmendur gjatë hetimeve të agjentëve ka vënë në dispozicion pamjet e kamerave të sigurisë nga bankomati ku u tentua që të tërhiqeshin para me kartën e vjedhur.
“U tentua të tërhiqeshin 200 mijë lekë dhe tentativa u përsërit për shumën 100 mijë lekë. Veprimet për tërheqjen e parave të sipër cituara nuk kanë përfunduar për shkak se personi që kryen këtë veprim vendosi kodin e gabuar të kartës PIN. Pamjet e administruara në hyrje të bankomatit ku u përdor karta i vihen në dispozicion komisariatit numër 3”, citohet në shkresën e bankës. Mbas identifikimit të këtij shtetasi, fotografitë janë shpërndarë në disa shërbime të policisë së kryeqytetit dhe njohja e tij, sipas dosjes që ju tregua Gazetasi.al, u bë nga shërbimet e policisë për shkak të të kaluarës së tij si një shtetas i skeduar. I dyshuari nuk bëri rezistencë por sapo u vu përballë autoriteteve pranoi çdo gjë.
“I pranoj akuzat e ngritura. Jam në kushte të vështira, jam në moshë të re dhe e kam bërë i shtyrë nga nevoja për mbijetesë pasi jam përdorues droge”, ka deklaruar ai.
Por skeda e tij bëhet me dije se është e mbushur me ngjarje të tilla të vjedhjeve. Policia përmend se i dyshuari sipas një vërtetimi të gjendjes gjyqësore rezulton i dënuar më parë nëntë herë për të njëjtin krim, atë të vjedhjes.
“Ky fakt është i konfirmuar nga vërtetimi gjyqësor numër 7”, deklaron policia për Gazetasi.al, që shton se tanimë shumë hajdutë ja vënë fajin drogës dhe varfërisë dhe që ndonëse këmbëngulin me këtë version, asnjëri nuk shpallet i pafajshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



