Në Strasburg është nënshkruar këtë të mërkurë akti ligjor i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Raportuesi për vizat për Kosovën, This Reuten, tha gjatë një konference për media se nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.
Ai shtoi se ishte e padrejtë “dhe e paarsyeshme” zvarritja e procesit të vizave për Kosovën, pavarësisht se Prishtina kishte “punuar shumë dhe kishte plotësuar kriteret para shumë vjetësh”.
Një ditë më herët, më 18 prill, Parlamenti Europian miratoi vendimin për vizat, duke përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.
Miratimi u bë pa votim, pasi nuk pati asnjë kundërshtim, dhe i hapi rrugën qytetarëve të Kosovës që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, së bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Parlamentit Europian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.
Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Europian në këtë periudhë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.