Politike

Nënshkruhet marrëveshja me spitalin italian, Rama: E kthejmë QSUT në qendër ekselence në Ballkan e Evropë

Nga Gazeta Si- Është firmosur sot memorandumi mes QSUT dhe Universitetit të Mjekësisë në Tiranë me Qendrën Spitalore Universitare të ekselencës evropiane “San Raffaele” dhe universitetin “Vita- Salute San Raffaele”.

Kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në takim tha se QSUT do të kthehet në një qendër ekselence në rajon dhe Evropë.

Sipas kreut të qeverisë, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë, hap një faqe të re për shëndetësinë e vendit tonë.

“Ky është një moment historik për shëndetësinë tonë, për QSUT, por edhe për vetë Shqipërinë. Sot hapim një faqe krejt të re, në një rrugë që ka qenë e gjatë, jo e lehtë dhe kishte një pikënisje që të thuash dëshpëruese është pak, në një sistem shëndetësor ku e vetmja vlerë ka qenë ajo e profesionistëve që në kushte skandaloze luftonin për të mbrojtur dhe shpëtuar jetë. Ambicia është që të bëjmë këtë qendër si pikë referimi të Ballkanit dhe ka kthejmë në një qendër ekselencë mes qendrave të ekselencës në Europë”, u shpreh Rama.

Stafi i kësaj qendre do të përfshihet në mënyrë të drejtpërdrejtë në menaxhimin e QSUT. Paralelisht me qendrën spitalore, kryeministri theksoi se synimi është edhe transformimi i Universitetit Mjekësor të Tiranës. Ai tha se deri në fund të kësaj dekade, Universiteti i Mjekësisë të shndërrohet në një “degë” të atij të Vita- Salute San Raffaele.

“Synimi është që deri në 2030, nga njëra anë QSUT të pësojë atë transformim që grupi i San Raffaeles ka sjellë në Poloni, duke u përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha proceset, menaxhimin e qendrës, në organizimin e gjithë jetës përditshme të qendrës dhe duke bashkuar në kuptimin e vërtetë profesionistët e të dyja anëve, San Raffaeles dhe QSUT. E njëjta ambicie është edhe për universitetin”, tha Rama.

Në thelb të kësaj marrëveshjeje është ndërtimi i një partneriteti strategjik që ofron konsulencë në menaxhimin dhe përmirësimin e efikasitet operacional të QSUT dhe Universitetit të Mjekësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë