Qeveria e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë nënshkruar marrëveshje dhe deklaratë të përbashkët si zotim i të dy qeverive për marrjen me qira të qelive të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.
Detajet e marrëveshjes i kanë dhënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ajo e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Haxhiu ka sqaruar se marrëveshja me Danimarkën për dhënien me qira të qelive, ku do të vendosen 300 të burgosur nga ky shtet vlen për 10 vjetët e ardhshme.
Ajo ka thënë se të dënuarit, të cilët do të transferohen nga Danimarka nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë.
“Sapo nënshkruam letër-qëllimet e përbashkëta ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë së Kosovës me ministritë homologe nga Mbretëria e Danimarkës.
Republika e Kosovës është vlerësuar si palë serioze në idenë për transferimin e të dënuarve që aktualisht në qendrat korrektuese në Mbretërinë e Danimarkës.
Administrimi i mirë i institucioneve korrektuese, avancimi i respektimit të të drejtave për personat e privuar nga liria dhe kapacitetet e mjaftueshme akomoduese të institucioneve korrektuese janë vlerësuar edhe nga institucione kredibile ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Gatishmëria e Danimarkës për t’ja besuar Kosovës transferimin e të burgosurve dëshmon përparimin që ka vendi ynë në respektimin e të drejtave të njeriut dhe përkushtimin tonë për të dërguar më tej reformat për sundimin e ligjit dhe ngritjen e marrëdhënieve tona në një nivel shumë të lartë,”tha Haxhiu.
Ajo ka sqaruar se pas nënshkrimit pritet që marrëveshja të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që do të nënshkruajë një marrëveshje të tillë për huazimin e qelive të burgut.
Nga kjo marrëveshje Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro në 10 vitet e ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




