Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, është takuar sot në Tiranë me homologun turk, Süleyman Soylu, i cili ishte në vendin tonë në kuadër të vizitës zyrtare të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Çuçi ka nënshkruar me të edhe një marrëveshje për trajnimin e forcave të Policisë së Shtetit nga xhandarmëria turke. Teksa ndan disa foto nga takimi, Çuçi shkruan se sot u hodh një hap konkret përpara në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim në Fushën e Trajnimeve dhe Arsimimit për Zbatimin e Ligjit.
“Takimi në Tiranë me homologun dhe mikun turk Süleyman Soylu, me të cilin hodhëm sot një hap konkret përpara në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim në Fushën e Trajnimeve dhe Arsimimit për Zbatimin e Ligjit. Cilësia e arsimit dhe kualifikimi profesional i forcave tona të sigurisë janë shumë të rëndësishme për të përgatitur drejtues të kualifikuar, me njohuri dhe aftësi moderne, që dinë të adresojnë sfidat e kohës. Xhandarmëria turke do të ofrojë në këtë drejtim të gjithë ekspertizën dhe kapacitetet për Policinë e Shtetit dhe jo vetëm. Ndonëse po kalojmë një fazë të vështirë për shkak të pandemisë, të dy vendet tona kanë ditur të hedhin hapa përpara dhe të çojnë në një nivel tjetër bashkëpunimin biletaral për sfidat e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, emigracionit dhe krimit kibernetik. Do të vijojmë të punojmë së bashku për të krijuar një klimë më të ngushtë bashkëpunimi dypalësh në fusha të interesit të përbashkët”, shprehet ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




