Politike

Nënkryetari i KQZ, Biba: Pse votimet me një kandidat vlejnë

Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba u ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë që të marrin pjesë në votimet që do të mbahen nesër.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Biba shprehet se është për të ardhur keq, që në rreth 30 bashki ka votime dhe jo zgjedhje. Por sipas tij, edhe pse bëhet fjalë për zgjedhje të pazakonta, janë të rëndësishme dhe nuk duhen bojkotuar.
“Në datë 30 qershor, unë do të shkoj të votoj! Po ç’ka për të zgjedhur në 30 bashki ku është regjistruar vetëm 1 kandidat? – do të pyesë me të drejtë ndonjë.
Po, ashtu, në ato bashki ka vetëm votim e jo zgjedhje, dhe kjo është për të ardhur keq. Por zgjedhje a votime qofshin në gati 50% të zonave, sërish mbeten të rëndësishme, ndaj nuk duhen bojkotuar. Ne (shqiptaret) nuk duhet të humbim shprehitë tona demokratike”, shkruan Biba në rrjetin social “Facebook”.
Biba ndër të tjera thotë se duhet respektuar shteti i së drejtës ku rregullat prevalojnë mbi pazaret politike.
“Akoma më tej, ne duhet të respektojmë shtetin e së drejtës, i cili kërkon që rregullat të prevalojnë mbi pazaret politike e që, pa të cilin, demokracia ka tendencë të degradojë në sundim të shumicës mbi pakicën. Dhe së fundi, duhet të votojmë edhe sepse procesi zgjedhor, edhe aty ku ka vetëm 1 kandidat, ka edhe një komponent tjetër, absolutisht te rëndësishëm. Të zgjedhurit vendorë përmes votimit qytetar formalizojnë marrjen e detyrës. Sepse kryebashkiaket tanë emërohen nga ne, votuesit e tyre. Vetëm kështu i bëjmë ata të përgjegjshëm dhe mund t’ju kërkojmë llogari për premtimet dhe menaxhimin e parave publike”, përfundon nënkryetari Biba.

https://www.facebook.com/denar.biba/posts/10156571303327689

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë