Gazeta Si – Ish-numri 1 i botës do të rikthehet në fushë. Vozniaçki ishte tërhequr në vitin 2020 për t’iu përkushtuar dy fëmijëve dhe jetës private. Tani ka vendosur që të rikthehet në aktivitet.
Kur të thërret raketa, është e vështirë të rezistosh. Është rasti i Karolin Vozniaçkit që ka njoftuar rikthimin në tenisin profesionist, pasi kishte thënë ‘mjaft’ para Australian Open të 2020-ës, kur ishte 29 vjeç.
Në atë kohë ajo tha se kishte përparësi jetën private bashkë me bashkëshortin David Li. Tenistja që në 2018-ën u diagnostikua me artrit reumatoid ndërtoi një familje solide me ish-lojtarin e NBA-së, duke sjellë në jetë dy fëmijë: Olivia dhe Xhejms.
“Në këto 3 vjet larg lojës kam pasur mundësinë të rikuperoj kohën e humbur me familjen, – ka shkruar Vozniaçki në rrjetet sociale. – Jam bërë nënë, kam dy fëmijë të mrekullueshëm. Por kam ende objektiva që dua t’i arrij. Po rikthehem të luaj dhe mezi po e pres.
Kam folur me shumë femra që kanë hequr dorë nga ëndrrat e tyre, sepse donin të qëndronin me familjet e tyre, por brenda tyre kanë atë dëshirën për të bërë diçka që e kanë pasion. Dua t’u tregoj atyre që është e mundur gjithçka”.
Karolin Vozniaçki ka qenë në majën e tenistit të femrave për 71 javë, ka fituar 30 turne, përfshirë edhe Australian Open 2018. Papritur asaj i ka lindur dëshira të rikthehet në skenën e madhe dhe synon që të jetë gati në Montreal dhe në turneun e fundit Slam të sezonit, US Open.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.