Ngjarje

Nëna që mbyti foshnjën tërhoqi bonusin e bebes. Mjeku: Kërkoi ta çojë në Shtëpinë e Fëmijës, por më pas refuzoi

Gazeta Si - Orjana Gremi, e cila u vu në prangat e policisë këtë të shtunë, e mbështolli foshnjën e saj me batanie e plastmas dhe e hodhi në lumin Kir vetëm 5 ditë pasi e kishte sjellë në jetë.

Ditën e krimit, ajo shkoi në bankë me certifikatën e lindjes së foshnjës, pa atësi, për të tërhequr bonusin e bebes prej 40 mijë lekësh që jep shteti.

Shefi i Shërbimit Obstetrik Gjinekologjik në spitalin e Shkodrës, Senad Halluni, tregon se e reja shkoi për të lindur në datë 30 dhjetor.

Ai thotë se ishte lindja e parë për Gremin dhe se ishte normale. Sipas tij, ajo refuzoi regjistrimin e atësisë së fëmijës dhe kërkoi dorëzimin e tij në Shtëpinë e Foshnjës.

Lumi Kir

“Zonja ka ardhur me datë 30 e shtruar, ka qenë lindja e parë, e cila ka rezultuar me një lindje normale, mashkull 3 kg 250 gr me datë 30 në orën 11:40. Pastaj zonja ka refuzuar dhe ka shprehur dëshirën që të fillojnë procedurat për ta dorëzuar në shtëpinë e foshnjës 0-6 vjeç. Duke qenë se ishte data 31 dhjetor, ne kemi njoftuar Drejtorinë e Shtëpisë së Foshnjës për të filluar procedurat për regjistrimin atje. Në këtë moment, sipas protokollit futet në ndjekje të afërt nga psikologia që është e korporuar në shërbimin tonë, e cila ka kryer të gjithë procedurën standarde që është për këtë proces. Një vlerësim të gjendjes psikologjike, sociale të zonjës e cila është e dokumentuar në kartelën klinike”, tha mes të tjerash mjeku.

Megjithatë, më pas ajo ndryshoi mendje dhe e mori vetë fëmijën. Sipas mjekut, ajo nuk ka shfaqur probleme të shëndetit mendor.

Mësohet se 32-vjeçarja punonte në një ndërmarrje këpucësh në Shkodër. Halluni po ashtu tregon se në spital kanë ardhur për ta vizituar disa shoqe që i kanë sjellë edhe dhurata.

“Më datë 4 zonja ka refuzuar për ta dërguar fëmijën në Shtëpinë e Foshnjes dhe sipas protokollit që kemi ajo ka nënshkruar një deklaratë që unë marr përsipër marrjen e fëmijës në gjendje normale dhe në kushtet e një vlerësimi të bërë nga psikologia që ka qenë në normalitet, në rrjedhshmëri logjike, koherencë mendimesh. Është dorëzuar fëmija tek zonja, ka dalë nga materniteti dhe që në këtë moment shërbimi jonë nga ana mjekësore nuk ka kontakt me tutje. Pastaj vetëm kur e morëm vesh mbrëmë që zonja kishte kryer një akt të tillë, jemi ndjerë të mërzitur, megjithatë kjo është historia sa i përket maternitetit”.

E reja mësohet se po qëndronte tek daja e saj në Shkodrës, ndërsa momentalisht mbetet e paqartë atësia e fëmijët. Sipas policisë, ajo tha se e kreu veprimin pasi nuk kishte mundësi ta mbante.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë