Ngjarje

Nëna e protestës

Adriana Kalaja, gruaja që po ndihmon studentët me ushqime dhe strehë

Ushqimin që iu dërgua për të shuar urinë gjatë atyre orëve të protestës përballë godinës së Ministrisë së Arsimit, studentët e ndanë me policët. Ishin dy furgonë me ushqim, ujë, lëngje dhe çajëra, që Adriana Kalaja, ua dërgoi të rinjve, që mbushën rrugët e kryeqytetit, për të kërkuar heqjen e tarifave për provimet e mbartura, uljen e tarifës vjetore dhe kushte më të mira jetese, në konvikte.
E prekur nga kauza e tyre, Kalaja, me profesion financiere, deklaroi se vinte në dispozicion shtëpinë, një vilë për të gjithë ata studentë që banojnë jashtë Tiranës.

Një tjetër grua që ndihmon me ushqime protestuesit


“Së pari, më emocionoi shumë fakti që, ata të rinj na mësuan se për të drejtat e tua duhet të ngrihesh, jo të heshtësh dhe të presësh çfarë të hedh pushteti”, i tha gazetës zonja Kalaja. “Nga ana tjetër, ata kanë moshën e fëmijëve të mi”, vijon më tej, ndërsa shton se ka qenë e pranishme në protestë çdo ditë dhe do u dërgojë sërish ushqime studentëve. “Po bëhem gati të dal”, thotë në paraditen e 9 dhjetorit, ndërsa protesta shënon ditën e pestë të saj. “Kemi vite që nuk shohim një reagim të kësaj përmase dhe nga të rinj, të cilët nuk kërkojnë pushtet. Kërkojnë vetëm të drejtat e tyre”.


Adrian thotë se ka shumë miq të saj kanë ofruar gjithashtu shtëpitë e tyre, në mbështetje të të rinjve.
“E ofrova për protestuesit”, thotë ajo për banesën, “pasi ata të rretheve e kanë të vështirë të shkojnë e të vijnë në mes të të ftohtit”.
E saj, vijon Kalaja, ishte një akt konkret për të treguar solidarizimin me studentëve. “Për t’u thënë: “Jemi me ju!” Thotë se i kanë shkruar studentë protestues pasi bëri thirrjen, për t’u interesuar me më shumë hollësi rreth ofertës së qytetares.


Protesta, e cila nuk lejoi përfshirjen e aktorëve politikë të asnjë kahu, gjeti mbështetje edhe në qytetarë të tjerë, që kontribuuan me ushqime dhe ofruan të hapin dyert e shtëpive për protestuesit. “Do duhej të ikja në shtëpi, por nuk do të ma kishin hapur derën, nëse do kisha lënë protestën”, lexohej në disa pankarta. Ishte dëshira e Kalasë që ushqimet të ndaheshin edhe me punonjësit e forcave të rendit, që kishin po aq orë sa studentët, duke kryer detyrën.
Nuk është hera e parë që Adriana Kalaja ofron ndihmesën e saj për njerëzit më pak të privilegjuar dhe në nevojë. Thotë se paguan çdo vit drekën e Vitit të Ri, në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”.
E njohur gjithashtu në komunitetin e kafshëdashësve, për ndihmën e pareshtur. “Nuk mundem të shoh një qenie që merr frymë, në nevojë dhe, të mos jap ndihmën time”, thotë, duke kujtuar sesi lindi dashuria për kafshët kur mori qenushen Pegi, tanimë 15 vjeç, për të bijën e pastaj pëfundoi vetë e dashuruar me të.
“Pastaj ç’të gjeja i merrja në shtëpi”. Tani ka tri mace dhe tre qen në shtëpi dhe kujdeset të ushqejë 12 kafshë rruge.
“Nuk mund të bëj pasiven, kur shoh postimet”, thotë ndërsa e ka fjalën për thirrjet që bëjnë organizata vullnetarësh në ndihmë të kafshëve, në rrjetet sociale. “Tek Vet Hospital jam bërë si e shtëpisë”, thotë, ndërsa ka mbërritur pranë Ministrisë së Arsimit, për t’iu bashkuar protestës së studentëve, duke ofruar kontributin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë