Motosport

Nëna e kampionit Vershtapen: Hemilton më i fortë, Maksin e ndihmuan engjëjt!

Nga zhgënjimi për një shans të artë të humbur, në festën më të shfrenuar pas asaj xhiroje të fundit për infarkt. Botërori 2021 u mbyll me triumfin e Maks Vershtapen, holandezi i parë në histori që shpallet kampion në F.1.

Menjëherë pas garës së Abu Dhabit, kampioni i ri mendoi për një person special, nënën Sofi Kumpen. Siç ka treguar ajo në një intervistë për të përditshmen belge “Het Laatste Nieuws”, Maksi e telefonoi menjëherë dhe filloi të bënte shaka me të.

Maks Vershtapen, kampion bote ne F.1. Gazeta Si, 14 dhjetor 2021

Sofi ka qenë pilote në të kaluarën dhe i njeh mirë dinamikat e garës, por kjo nuk e ndaloi ta përjetonte me tension të madh finalen e Abu Dhabit. “Vetëm tani po e marr veten, im bir është kcampion bote në F.1. Kam ulëritur dhe kam qarë. Maksi u tregua një luan, sepse duhet pranuar, Hemilton ishte më i fortë në garë. Engjëjt e kanë ndihmuar. Më telefonoi dhe ndjeva kënaqësi ta dëgjoja, edhe pse ishte pak i çoroditur. Çfarë më tha? Më pyeti sa herë kisha shkuar në banjë…”.

Zonja Vershtapen ka lindur në Belgjikë dhe ka shumë miq aty. Disa prej tyre i bënë shoqëri para televizorit, bashkë me familjarët, në garën më të fortë të viteve të fundit. Pikërisht kjo miqësi mes Belgjikës dhe Holandës ishte surprizuese.

“Është e pabesueshme çfarë ndikimi ka pasur ky sukses. Filluam ta shikonim garën bashkë thuajse të gjithë aty afër. Njerëzit vinin nga çdo anë, belgë dhe holandezë bashkë, të gjithë për Maksin. Diçka vërtet unike”, – ka thënë nëna e kampionit të botës. Një fitore edhe më speciale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë