Treg

Nën hetim tregu i vajit vegjetal, Autoriteti i Konkurrencës: Rritje e çmimit me 7.5%

Gazeta Si – Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar këtë të premte nisjen e hetimit të thelluar ndaj 9 ndërmarrjeve në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal.

Sipas gjetjeve të këtij raporti, del se për të gjitha kompanitë për periudhën janar-mars 2022, ka pësuar disa rritje në treg, që shkon deri në 7.5%.

Po ashtu, del se rritja në të njëjtën kohë për periudhën janar-mars 2022 e çmimit të shitjes së vajit vegjetal, mund të bjerë në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

Në shënjestër të Konkurrencës, janë disa ndërmarrje, AGRO BLEND SHPK, BOMIRA SHPK, Devi 20 – GRUP SHPK, Eqerem – 934 SHPK, FERRA&CO SHPK, GLOBCOM SHPK, Kriket-1 SHPK, TEUTA DURRES SHPK dhe PDF SHPK në tregun e importit, të cilët operojnë në prodhimin dhe shitjen me shumicë të vajit vegjetal.

“Gjatë kësaj periudhe hetimore 8-mujore, u përcaktua se: tregu përkatës i produktit përfshin: (i) Tregun e Importit të Vajit Vegjetal; (ii) Tregun e Prodhimit/Ambalazhimit të Vajit Vegjetal; (iii)Tregun e Shitjes me Shumicë të Vajit Vegjetal. Tregu përkatës i produktit është vaji i lulediellit”, – thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Pjesët e tregut të ndërmarrjeve në tregun me shumicë, janë më të vogla krahasuar me tregun e importit, duke qenë së tregu me shumicë zmadhohet duke bërë pjesë edhe prodhuesit/ambalazhuesit e vajit vegjetal.

Gjatë monitorimit në tregun e shumicës të vajit vegjetal pranë ndërmarrjeve Agro Blend SHPK dhe Ferra&Co SHPK, është konstatuar së çmimet për produktin e vajit vegjetal kanë pasur rritje gjatë vitit 2022.

Gjatë monitorimit të tregut të pakicës për vajin vegjetal, rezulton se për markat Gold (Teuta), Diamond (Agro Blend), King (Ferra&CO), Floriol (Devi-20 Grup) çmimi gjatë periudhës shkurt – mars ka pasur trend rritës.

Konkretisht, vaji Gold shitet me 329 lekë me TVSH, Diamond me 335 lekë me TVSH, King me 315 lekë me TVSH dhe Floriol me 319 lekë me TVSH.

Autoriteti i Konkurrencës, për periudhën 1 janar 2022 – 11 mars 2022, ndër të tjera konstatoi se: çmimi mesatar mujor i importit në muajin janar 2022, ka qenë në vlerën 199.23 lekë/litri dhe në mars 2022 është rritur në vlerën 208.54 lekë/litri.

Kështu, çmimi i vajit vegjetal rezulton se është rritur gati me 7.5% nga muaji shkurt 2022.

“Rritja në të njëjtën kohë për periudhën janar-mars 2022 e çmimit të shitjes së vajit vegjetal nga ndërmarrjet AGRO BLEND SHPK, BOMIRA SHPK, Devi 20 – GRUP SHPK, Eqerem – 934 SHPK, FERRA&CO SHPK, GLOBCOM SHPK, Kriket-1 SHPK, TEUTA DURRES SHPK dhe PDF SHPK, mund të bjerë në kundërshtim me nenin 4 të ligjit, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, në kuptim të një marrëveshje të ndaluar apo sjellje të bashkërenduar të këtyre ndërmarrjeve”, – përfundon njoftimi për shtyp i AK-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë