Ka ndodhur

Nën hetim për korrupsion, por mjeku Edvin Prifti do japë mësim në UT

Mjeku i njohur i QSUT-së, Edvin Prifti, edhe pse është nën hetim për korrupsion, pritet t’i rikthehet punës si pedagog në Universitetin e Tiranës.

Vendimi është dhënë të mërkurën nga Gjykata e Apelit, e cila i ka dhënë të drejtë Priftit të ushtrojë aktivitetin e tij pedagogjik. Megjithatë, ai vijon të jetë i pezulluar sa i takon profesionit që ushtronte si mjek.

Kardiokirurgu Prifti akuzohet se i mori ryshfet kryesekretares së Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë cash në zyrë dhe shtëpi.

Prifti po hetohet në gjendje të lirë, por Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK i është drejtuar Gjykatës së Lartë për të bërë rekurs vendimin e datës 2 mars 2021 të Gjykatës të Apelit.

Dhjetë ditë më parë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vendosi sekuestro mbi llogaritë bankare të mjekut, duke i sekuestruar shumën prej 51.479.368 lekësh dhe shumën prej 177.497 eurosh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë