Drejtësia

Nën hetim për ‘Sterilizimin’ / Lihen në fuqi masat e sigurisë për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj: S’e apeloj çështjen. Ndryshuam mjekësinë

Gazeta Si - GJKKO ka lënë në fuqi masën e "detyrimit të paraqitjes" dhe të "ndalimit të daljes jashtë shtetit" për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili është në hetim dhe akzuohet për "shpërdorim detyre" në dosjen e koncesionit të sterilizimit. 

Beqaj u paraqit këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme së bashku me avokatin mbrojtës, Ermal Yzeiraj, ku u mor në pyetje sa i përket koncesionit të sterilizimit të pajisjeve mjekësore.

Megjithatë, ish-ministri refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gjyqtarit Erjon Bani, duke theksuar se do të flasë në një moment tjetër.

Para mediave, ish-ministri i Shëndetësisë i ka qëndruar deklaratave të tij, se nuk do të apelojë masën e sigurisë të caktuar nga GJKKO.

Pas seancës në Gjykatën e Posaçme, e para pas caktimit të masës "detyrim paraqitje", Beqaj u shpreh se do të jetë në dispozicion të këtij procesi. Ndërsa shtoi se çfarë është bërë në shëndetësi lidhur me sterilizimin, ka qenë gjithçka mirë.

“Kam vendosur që përtej rezervave që kanë avokatët e mi, të mos e kundërshtoj atë vendim. Së dyti unë vazhdoj besoj se çfarë kemi bërë në shëndetësi, ka qenë një gjë e mirë dhe ka sjellë një ndryshim rrënjësor për shërbimin shëndetësor të shqiptarëve. Për çështjen në fjalë, në janar bëhen 8 vjet që hetohet. Në këto 8 vjet, çdo ditë, në 100 salla kirurgjie të Shqipërisë, 400 kirurgë operojnë në kushte bashkëkohore, sterile. Çdo vit rreth 60 mijë shqiptarë operohen në kushte sterile dhe në çdo operacion financave të shtetit shqiptar i kursehen çdo ditë, 2.4 ditë qëndrimi në spital”, deklaroi Beqaj.

SPAK e akuzon Beqajn për shpërdorim detyre për koncesionin e sterilizimit, të pajisjeve kirurgjikale dhe kontratën koncesionare 10-vjeçare afro 100 milionë dollarëshe, e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vijon.

Kështu, sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri i Shëndetësisë, akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë apo ankande publike.

Pas masës së caktuar nga gjykata, Beqaj duhet të paraqitet pranë oficerit të policisë gjyqësore çdo të premte, ndërsa nuk mund të dalë jashtë vendit pa një autorizim nga GJKKO.

Vetë Ilir Beqaj ka deklaruar se nuk do ta ankimojë çështjen, duke iu përgjigjur procesit të hetimit me vullnet të plotë.

Ai po ashtu ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai dha argumente se përse nuk do e ankimojë vendimin, ndonëse e konsideron si një procedurë në shkelje të ligjit.

Për të njëjtën çështje, janë arrestuar ish-zv ministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Ata janë nën hetim për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh. Të dy ndodhen në qeli dhe gjykata iu ka rrëzuar kërkesën për liri.

Lidhur me këtë dosje, në gusht të këtij viti, Gjykata e Posaçme i kërkoi prokurorisë të shtrinte hetimet edhe mbi përgjegjësinë e gjashtë personave të tjerë, përfshirë dhe Beqajn.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë