Drejtësia

Nën hetim për inceneratorin e Tiranës, ‘detyrim paraqitje’ për ish-drejtoreshën e Ministrisë së Mjedisit

Gazeta Si- Ish-drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma, e dyshuar si e përfshirë në aferën e inceneratorit të Tiranës, është liruar nga masa e “arrestit shtëpiak”, ku ndodhej prej një viti.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja e GJKKO-së, Rudina Palloj, pas kërkesës së Thomës për zbutje të masës së sigurisë, e cila është zëvendësuar me “detyrim paraqitje”.

Sipas akuzës, dyshohet se Thoma ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në komunikimin mes zyrtarëve shtetërorë dhe “pronarëve realë” të inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Ajo ka qenë drejtoreshë juridike në Ministrinë e Mjedisit gjatë kohës që shqyrtoheshin kontratat koncesionare për landfillët në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës, i miratuar në gusht të vitit 2023, Alba Thoma konsiderohej si “njeriu i besuar i Zotos dhe Mërtirit”.

“Konstatohet se KVO ka pasur në përbërje të saj edhe një ndër të besuarat e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, konkretisht shtetasen Alba Thoma”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Drejtoresha Juridike akuzohet se bashkë me ish-ministrin Lefter Koka dhe 7 anëtarë të Komisionit të Ofertave, kanë abuzuar ligjërisht dhe financiarisht me bonusin për rastin në fjalë, në kohën kur është dhënë leja për punimet e inceneratorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë