Nga Gazeta ‘Si’- Kryetarja e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka ka reaguar për herë të parë në lidhje me faktin që është nën hetim nga SPAK.
Ajo u përgjigj në replikë të deputetit Dashnor Sula i cili kërkoi që mbledhja e komisionit të drejtohet nga dikush tjetër, referuar faktit që Bushka është nën hetim nga SPAK për pengim të drejtësisë, në lidhje me hetimet ndaj Erion Veliajt.
Sula i tha Bushkës se duhet të lejojë dikë tjetër që ta drejtojë mbledhjen, ndoshta një nga anëtarët e Komisionit, teksa debatoi edhe me anëtarët e PS të Komisionit, duke iu thënë se nuk duhet të flasin sot, pasi është një turp ajo që ka ndodhur.
Ndërkohë kryetarja e Komisionarit u shpreh se “Ligjet” janë një komision parlamentar, jo hetimor dhe ajo po bën punën e saj.
“Ky është komision ligjesh jo hetimor. Po ushtroj detyrën time. Nëse kam diçka për ta sqaruar do e sqaroj atje. Po jam dhe vijoj të jem e dinjitetshme”, tha ajo në përgjigje të deputetit Dashnor Sula që kërkoi që mbledhja të drejtohet nga Dhurata Çupi.
“Deri në këtë fazë kontatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë te dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim, K.B ka kryer veprime aktive të kundraligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues…,” tha SPAK në njoftim, që i referohet deputetes së PS.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




