Drejtësia

Nën hetim nga SPAK për fshehje pasurie, pezullohet gjyqtari Ardian Hajdari

Gazeta Si – Kolegji i Posaçëm i Apeli ka pezulluar nga detyra gjyqtarin Ardian Hajdari pak javë pasi u mor i pandehur nga SPAK me akuzat për fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë. Vendimi i pezullimt të tij ashtë marrë pas një mbledhjeje të posaçme të gjyqtarëve të KPA-së.

Kryesuesi i trupës së Kolegjit, Sokol Çomo, sqaroi se seanca nuk mund të vijonte, pasi mungonte gjyqtari Ardian Hajdari për shkak të pezullimit të tij nga detyra dhe u vendos shtyrja për më datë 18 shkurt, ora 09:30.

Në seancë nuk e bë e ditur arsyeja e pezullimit të Hajdarit nga detyra. Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit që pezullohet pas Luan Dacit, i cili u shkarkua pasi u deklarua fajtor me vendim të formës së prerë për falsifikim të formularit të aplikimit për një pozicion në institucionet e Vettingut.

Më herët, Daci dhe Hajdari u kallëzuan penalisht në Prokurorinë e Posaçme, SPAK me pretendimin se kishin gënjyer në aplikimet e tyre për t’u zgjedhur anëtarë të KPA-së përmes “falsifikimit të dokumenteve”.

Kallëzimi penal u krye nga tre magjistratë të shkarkuar gjatë Vettingut; nga ish-prokurorët Antoneta Sevdari dhe Elsion Sadiku, si dhe ish-gjyqtari Ervin Metalla.

Sa i takon Dacit, ai u akuzua se kishte fshehur shkarkimin nga detyra në vitin 1997 dhe se kishte deklaruar para komisionit ‘ad hoc’ se ishte larguar nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, ndërsa Hajdari për deklaratën se kishte një eksperiencë 17-vjeçare si avokat.

Po ashtu, kallëzuesit pretendonin se dy anëtarët e KPA-së, kishin konsumuar edhe elementët e veprave penale “fshehje e të ardhurave” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë