Drejtësia

Nën akuzë për fshehje pasurie, merret i pandehur ish-kryeprokurori Petrit Fusha

Gazeta Si – Prokuroria e Durrësit ka marrë të pandehur Petrit Fushën, ish-drejtues i Prokurorisë së Tiranës, pasi akuzohet për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Prokuroria e Durrësit njofton se Petrit Fusha, ka qenë me detyrën e prokurorit dhe në bazë të ligjit i është nënshtruar procesit të rivlerësimit.

Nga KPK është dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, raporti me rezultatin përfundimtar të hetimit administrativ për ish-prokurorin Petrit Fusha, ku kërkohet të hetohet për faktet në kuadër të rivlerësimit kalimtar.

Ky fakt ka shërbyer për regjistrimin e çështjes penale, në ngarkim të tij dhe më pas ka sjellë marrjen e tij me cilësinë e të pandehurit.

Sipas njoftimit, nga hetimi i çështjes, del se Petrit Fusha, në deklaratat periodike vjetore dhe gjatë procesit të rivlerësimit, ka deklaruar rrethana të rreme në lidhje me pasuritë që ai disponon dhe që kishte në pronësi, për mënyrën e fitimit të pronësisë mbi këto objekte dhe sipërfaqe toke.

Po ashtu, thuhet se ai ka kryer veprime fiktive në lidhje me dhënien me qira të disa objekteve në pronësi të tij, pasi ka rezultuar se qiramarrësit nuk kanë pasur aftësi financiare për të paguar të ardhurat nga qiraja.

Mes të tjerash, Petrit Fusha nuk ka deklaruar shpenzime të kryera në lojërat e fatit gjatë viteve 2010 deri në 2016, shpenzime që kapin vlera të konsiderueshme financiare.

Dosja ndaj Fushës ishte fillimisht në SPAK, por më pas u kalua në kompetencë të Prokurorisë së Durrësit.

Petrit Fusha dha dorëheqjen nga detyra i prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme pas më shumë se tre dekadash në shërbim.

Fusha është ish-prokurori që u largua nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, duke mos pranuar të përballet me Vettingun.

Çështja ndaj Fushës është në fazën përfundimtare, por ish kryeprokurori i Tiranës ka kërkuar bërjen e një ekspertimi kontabël dhe disa veprimeve shtesë hetimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë