Futboll

Nejmar kryqëzohet nga kritikat, tifozët parisienë e duan në stol brazilianin

Humbja e parë sezonale e PSG-së ka bërë zhurmë në Francë dhe jo vetëm. Është normale, sepse të kesh në skuadër sulmues si Nejmar, Mbape dhe Mesi dhe të mos bësh asnjë gjuajtje në portë kundër Renes, skuadër e mesit të tabelës, ka diçka që nuk shkon.

Në Paris ka pasur kritika për të gjithë lojtarët, por më shumë nga të gjithë për Nejmarin, jashtë forme dhe larg 222 milionë eurove të paguara për të. Braziliani e ka gjetur rrugën e rrjetës vetëm në 2 nga 41 gjuajtjet e tij të fundit në portë dhe “Le Parisien” e ka kryqëzuar. “Fillimi më i keq i sezonit që kur ka ardhur te PSG, nuk ka saktësi, dobët teknikisht, hije e vetvetes”, – shkruan e përdtishmja franceze.

Nejmar dhe Mbape gjate ndeshjes me Renes. Gazeta Si, 4 tetor 2021

Një gjykim që është mbështetur nga pjesa më e madhe e tifozerisë francezë, të paktën duke parë rezultatin e një sondazhi të “Equipe”, ku kërkohet, nëse Nejmar e meriton apo jo fanellën e titullarit në këtë moment. Rreth 66% e votuesve janë përgjigjur me “Jo”, 29% kanë thënë “Po” dhe të tjerët janë të pavendosur.

Kritikat për brazilianin vijnë rreth një javë pas asaj fjalie të Mbape që bëri bujë. Sulmuesi francez, duke iu referuar Nejmarit, tha: “Ai barbon nuk ma jep kurrë topin”. Më pas të dy postuan një foto së bashku për të çtensionuar situatën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë