“Qendra Multimedia” Prishtinë , ka bashkuar një ansambël pan-evropian për të krijuar dramën “Negocimi i Paqes” shkruar nga Jeton Neziraj, e cila do të shfaqet në Oslo në “Black Box teater, Store scene” në datat 20-21 Mars. Kjo vepër e re është realizuar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia.
E frymëzuar nga “Të përfundosh një luftë” e Richard Holbrooke dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, “Negocimi i Paqes” shpalos dhe eksploron dinamikat që shoqërojnë procesin e një marrëveshjeje paqeje.

Kush mund të negociojë paqen? A kanë liderët politikë legjitimitetin për ta bërë këtë? A pajtohen realisht njerëzit e zakonshëm pas nënshkrimit të një “akti paqeje” në emër të tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është një akt individual?
Shfaqja fokusohet në negociatat e paqes duke përfshirë Dayton-in, marrëveshjet në Irlandën e Veriut dhe ato në Lindjen e Mesme, si edhe diskutimet jo shumë të frytshme mes Kosovës dhe Serbisë. Duke marrë parasysh këto momente të rëndësishme politike nga luftëra dhe konflikte të ndryshme në mbarë botën, shfaqja përpiqet të imagjinojë se si mund të duket përfundimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Philip Oltermann i “The Guardian” shprehet për dramën e Nezirajt se “Negocimi i paqes” është një këndvështrim ironik mbi diplomacinë e paqes si farsë.
“Drama “Negocimi i Paqes” e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj e shfaq diplomacinë e paqes si farsë, edhe pse një farsë e domosdoshme. Duke dramatizuar bisedimet në tavolinë të rrumbullakët mes vendeve fiktive në luftë, Banovia dhe Unmikistani, shfaqja është një komedi e furishme ku gjeneralët mendjemëdhenj mund të tërhiqen në tryezën e negociatave vetëm përmes premtimeve për realizimin e filmave hollivudianë që festojnë veprimet e tyre. Palët kundërshtare dehen gjatë negociatave për zonat e çmilitarizuara, ngatërrojnë draftet e marrëveshjeve të armëpushimit dhe firmosin në vëndin e gabuar. Hartat e territoreve të kontestuara ndahen me gërshërë letre”

Shfaqja është vënë në skenë nga Blerta Neziraj, produksionet e së cilës për “Qendra Multimedia” kanë udhëtuar ndërkombëtarisht në vende si Lozana, Milano, Vienë, Firence, Hamburg, Lion, Sarajevë, Bernë, Paris dhe Nju Jork.
Si një alumni e “Lincoln Center Theatre Directors Lab”, ka drejtuar shfaqje në Kosovë dhe jashtë saj. Ajo është vlerësuar me çmime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, përfshirë “Shfaqja më e mirë” në Festivalin Ndërkombëtar Kontrapunkt (Poloni, 2022) dhe “Shfaqja më e mirë” në FIAT (Mali i Zi, 2023).

“The Guardian” e ka përshkruar atë si “një nga regjisoret më të rëndësishme të vendit”, ndërsa “The Stage” i ka përshkruar shfaqjet e saj si “pa kompromis… të domosdoshme… guximtare dhe të fuqishme”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.