Politike

Negociatat, Zaev kërkon ndihmë në Romë, Rama në Athinë

Qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase duket se kanë vendosur të kërkojnë ndihmën e vendeve fqinje për rihapjen e dosjes së negociatave, Italisë dhe Greqisë. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Athinës për të marrë mbështetjen e qeverisë greke për negociatat, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev është nisur drejt Romës.

Ai do të takohet me kryeministrin italian Giuseppe Conte dhe më pas, së bashku me Ramën do të shkojë në Bruksel, ku do të marrë pjesë në darkën e lamtumirës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini , bashkë me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

Zaev është ftuar nga Conte, i cili ka njoftuar se do të kërkojë të rihapet çështja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut muajin e ardhshëm, duke sfiduar kështu vendet skeptike si Franca dhe Holanda. Zaev konfirmoi në një intervistë televizive javën e kaluar se Conte do të kërkonte që çështja e zgjerimit të ishte pjesë e agjendës së Këshillit të BE-së më 19 nëntor.

Kryeministri Xhupeze Konte dhe Edi Rama, Gazeta Si, 29 tetor 2019

Kryeministri italian Giuseppe Conte e quajti një gabim historik vendimin e Këshillit Europian për të mos filluar negociatat e pranimit me Shkupin dhe Tiranën. Ai tha se do të përpiqet të korrigjojë gabimin dhe të rishqyrtojë datën e hapjes së negociatave.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama është sot i pranishëm në samitin mes BE-së dhe vendeve arabe që po mbahet në Athinë. Mësohet se gjatë samitit Rama të takohet edhe me kryeministrin grek Qiriakos Mitsotaqis, ku do të diskutohet për çështje e hapura mes të dy vendeve.

Por misioni i Ramës në Athinë është më vështirë se ai i Zaev, pasi ndryshe nga Italia, Greqia ka mbajtur një qendrim më skpektik për negociatat. Kjo u vu re edhe gjatë votimit të një rezolute për nisjen e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranë në Parlamentin Europian disa ditë më parë, kur të gjithë eurodeputetët e Demokracisë së Re abstenuan.
Takimi mes Ramës dhe Mitsotaqis është parashikuar që të mbahet në orën 12:30 , kur dy kryeministrat pritet të diskutojnë edhe për Marrëveshjen e detit edhe qëndrimi i Mitsotaqis në lidhje me mbështetjen që Greqia do t’i ofrojë Shqipërisë për hapjen e negociatave. Mediat greke shkruajnë se Athina pritet të kërkojë në këmbim të mbështetjes për negociatat mbrojtjen e interesave të minoritetit grek në Shqipëri.

Qiriakos Mitsotaqis ka kritikuar disa herë radhazi qeverinë shqiptare për çështjen e minoritetit grek, një temë që e hapi vazhdimisht edhe gjatë fushatës zgjedhore, duke akuzuar Tiranën zyrtare se po shkelte drejtat e pakicës greke në vend.

“Duke mos rrezikuar as më të voglin destabilizim në rajon, do të ndjekim me vëmendje fqinjët tanë se si do të përgjigjen ndaj detyrimeve të tyre. Ashtu si me të gjithë, edhe me Shqipërinë kërkojmë marrëdhënie të mira fqinjësore.

Zoran Zaev dhe Qirikaos Mitsotaqis, Gazeta Si, 29 tetor 2019

Nuk duhet të harrojmë se Greqia ka pritur shumë emigrantë ekonomikë nga Shqipëria, duke dhënë në këtë mënyrë një dorë në rimëkëmbjen ekonomike të saj. Kuadri i bashkëpunimit tonë është tepër i gjerë. Por kusht për progresin e përbashkët, kusht që të hapet në një moment edhe rruga europiane e Shqipërisë, është respektimi i minoritetit grek dhe i të drejtave të tij”, deklaroi kryeministri grek një muaj më parë.

Por pavarësisht kritikave, Greqia u pozicionua në anën e Shqipërisë gjatë mbledhjes së Këshillit të BE-së. Atmosfera duket e mirë para takimit, pasi edhe dje në ceremonitë në Bularat dhe Këlcyrë nuk pati asnjë incident dhe i dërguari i qeverisë së Athinës u shpreh i kënaqur me zbatimin e marrëveshjes së rivarosjes së ushtarëve grekë në Shqipëri. Kjo është pika e vetme që Mitsotaqis ka përshëndetur që kur ka marrë drejtimin e qeverisë në Athinë.

Të dy fqinjët tanë, Italia dhe Greqia, raportohet se kanë mbajtur një qëndrim të fortë pro-negociatave me vendit tonë gjatë diskutimeve në Bruksel. Kreu i qeverisë greke dhe dhe ai i qeverisë italiane raportohet se janë mundur të bindin Francës për dhënien e dritës jeshile.
Natyrisht, pala greke ka vendosur gjithmonë kushte të rrepta për integrimin e dy vendeve fqinje në BE, por në rastin konkret, interesat duket se kanë qenë qartazi pro çeljes së negociatave. Ndërkohë për kryeministrin bullgar Boyko Borissov paralajmëroi se mos hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ishte një gabim historik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë