Politike

Negociatat, Rutte takon Merkel: Holanda ka shqetësime për Shqipërinë

Edhe pse Gjermania ka dhënë tanimë aprovimin e saj, Mark Rutte ka deklaruar mbrëmjen e së mërkurës së Holanda nuk është ende e bindur për të hapur negociatat me Shqipërinë këtë vjeshtë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka pritur të mërkurën kryeministrin holandez dhe kabinetin e tij për konsultime, por sipas protokollit të takimit, zgjerimi i BE-së nuk ishte në rendin e ditës.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që dha pas takimit me kancelarin gjermane, kryeministri i Holandës u pyet nga një reporter nëse vendi i tij do të votonte në favor të hapjes së bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe përgjigja e tij sinjalizoi se Holanda ka ende pikëpyetje kur bie fjala tek vendi ynë.

Merkel nuk bëri asnjë koment, por Rutte shprehu shqetësimet në lidhje me Shqipërinë, për të cilën thotë se ka bërë më pak përparim se Maqedonia e Veriut.

“Do të flasim për këtë me partnerët europianë në javët e ardhshme, sepse jemi të shqetësuar për përparimin që është bërë. Maqedonia e Veriut ka arritur më shumë se Shqipëria dhe do të ketë bisedime për këtë cështje”, deklaroi Rutte.

Në qershor të këtij viti, parlamenti Hollandez ka votuar tashmë kundër fillimit të negociatave me Tiranën dhe ka kërkuar rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë, por ka dhënë “dritë jeshile” për Shkupin.

"Si shumë vende të tjera të BE-së edhe në jemi të shqetësuar. Pak më pak për Shkupin dhe më shumë për Tiranën. Ne pyesim se sa përparim ka pasur në Shqipëri dhe jemi edhe më të shqetësuar për këtë”, u shpreh kryeministri holandez.

Duke folur për “kushtet” dhe përparimet që duhet të përmbushë Shqipëria për hapjen e negociatave, ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok deklaroi se Shqipëria nuk po arrin rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar. Edhe pse raporti i Komisionit Europian ishte tejet pozitiv, Holanda thotë se ky dokument nuk mund të vërtetojë nëse Shqipëria i plotëson kushtet e vendosura.

“Ne duam të shohim një rekord në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit”, tha Blok.

Kancelarja gjerman Merkel nuk e ka komentuar çështjen, por Bundestag javën e kaluar i dha qeverisë një dritë jeshile për të filluar negociatat si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë, duke i dhënë vendit tonë një “po me kushte”.

Përveç Holandës, edhe Franca gjithashtu ka dyshime për vendimin që do të merret në mes të këtij muaji. Sipas raporteve të medieve gjermane, Presidenti Emmanuel Macron pritet të vendosë personalisht nëse do të japë dritën jeshile për të dyja shtetet e Ballkanit.

Ministri gjerman i Evropës, Michael Roth

Roth: Nuk do të ketë procedurë të klasit të dytë për Shqipërinë

Ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, thotë në intervistë për DW, se kushtet për negociatat e Shqipërisë nuk i formulon Bundestagu, por Komisioni Evropian dhe se Shqipëria nuk do të ketë anëtarësim të klasit të dytë

Parlamenti gjerman e dha më në fund dritën jeshile për fillimin e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ju kishit kohë që luftonit për këtë. Ndjeheni i lehtësuar tani?

Sigurisht që jam i lumtur për këtë votim të qartë të Bundestag-ut gjerman. Më është dashur t'u shpjegojë sa e sa herë miqve tanë në Bashkimin Evropian, por edhe në Ballkanin Perëndimor që si Ministër për Europën, mund të jap miratimin tim në Këshillin e Përgjithshëm, vetëm nëse më parë jam marrë vesh me Bundestag-un. Tani kjo ndodhi dhe shpresoj që më 15 tetor në Bruksel do të kemi sukses së bashku në dhënien e dritës jeshile për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut, por edhe me Shqipërinë.

Cilat janë pengesat që kanë mbetur për t'u kapërcyer tani?

Ne kemi nevojë për unanimitet në Këshillin Evropian. Të dy vendet kanë bërë përparime të jashtëzakonshme. Nga këndvështrimi ynë, kushtet janë përmbushur që të fillojnë negociatat e pranimit. Por, natyrisht, ka ende shumë për të bërë në drejtim të sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit. Edhe çështja e pajtimit në rajon është ende sprovë, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. Por unë jam më optimist se para gjashtë muajsh, sepse në fund të fundit duhet të dërgojmë sinjale pozitive inkurajuese në Ballkanin Perëndimor. Përpjekjet ia vlejnë.

Presidenti francez ende nuk ka sinjalizuar një "po". Cili do të ishte rreziku nëse nuk do të çeleshin negociatat?

Bashkimi Evropian duhet të jetë i besueshëm dhe t'u qëndrojë angazhimeve të tij. Dhe, nëse kushtet janë përmbushur, atëherë duhet të bëjmë edhe ne një hap përpara. Shpresojmë se do ta bëjmë këtë tani, por është e qartë për të gjithë se ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë. Ne nuk jemi në prag të anëtarësimit, por në fillim të negociatave të anëtarësimit. Problemi është se ne tani jemi të zhveshur nga iluzionet. Shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian janë të zhgënjyera. Nuk po ecet përpara, as në aspektin social e as në aspektin ekonomik. Sukseset sociale dhe ekonomike mungojnë. Herë pas here ka ende mungesë të kulturës demokratike. Por ne të gjithë e kuptojmë rëndësinë e Ballkanit Perëndimor. Ai nuk është oborri i pasëm i Evropës, por është oborri i brendshëm i Evropës. Dhe qëllimi ynë kryesor duhet të jetë sigurimi i paqes, i pajtimit, i stabilitetit, i demokracisë edhe në Ballkanin Perëndimor. 

Sidoqoftë, Bundestagu gjerman ka vënë nëntë kushte për Shqipërinë, para se të çelet kapitulli i parë. Si duhet t'i lexojë politika shqiptare këto kushte?

Së pari, Bundestagu Gjerman nuk mund të formulojë kushte. Kushtëzimi vjen nga Komisioni i BE-së pas konsultimit me të gjitha shtetet anëtare. Dhe nuk mund të ketë rregulla speciale. Por, nga këndvështrimi i Bundestag-ut janë me rëndësi si kompletimi me  numrin e duhur të gjyqtarëve i gjykatave më të larta, ashtu edhe ligji i ri zgjedhor. Reforma zgjedhore ka kohë që është në diskutim. Këtu  ka përgjegjësi jo vetëm qeveria, por, natyrisht, edhe opozita. Dhe opozita tani duhet të hapet dhe të ketë një qëndrim konstruktiv. Ajo nuk duhet të vërë bllokada. Mua më ka konfirmuar qeveria shqiptare se do ta konsultojë draftin e saj me OSBE/ODIHR-in. Në këndvështrimin tim , kështu  do të sigurohet plotësimi i kushtit që kërkon që ligji zgjedhor të marrë parasysh edhe kërkesat e OSBE-së. Pastaj pjesa tjetër është në dorë të deputetëve. Mund të shpresoj vetëm se përkundër klimës shumë të helmuar dhe të polarizuar në Shqipëri, të gjitha partitë, përfshirë edhe opozitën, tani do të jenë të gatshme të marrin një qëndrim konstruktiv. Ne kemi nevojë për një proces gjithëpërfshirës, kemi nevojë për kompromise, në mënyrë që projekti i anëtarësimit në BE të mos dështojë. Por nuk janë kushte të reja, ato tani do të përmbushen shumë shpejt, kështu që për Shqipërinë nuk do të ketë një procedurë pranimi të klasit të dytë. Përkundrazi. Çdo gjë do të shkojë mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë