Një delegacion parlamentar shqiptar i kryesuar nga kryetari Gramoz Ruçi, Taulant Balla i PS-së dhe Rudina Hajdari si deputete e grupit të opozitës po zhvillojnë takime në Parlamentin e Holandës. Kjo vizitë zhvillohet përpara publikimit të raportit vjetor të Komisionit Europian dhe marrjes së vendimit të Parlamentit holandez në lidhje me këtë proces.
Mëngjesin e sotme, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi së bashku me delegacionin që e shoqëron atë, kryetarin e grupit të PS-së Taulant Balla dhe kryetaren e grupit demokrat në parlament, Rudina Hajdari, kanë nisur takimin me Kryetaren e Dhomës së Dytë të Parlamentit holandez, Khadija Arib.
Pasditen ata do të zhvillojë një seancë dëgjimore me Komisionin e Çështjeve Europiane, komision i cili do të përcaktojë vendimin e Holandës ndaj Shqipërisë. Ky pritet të jetë edhe takimi më i rëndësishëm, pasi delegacioni shqiptar do të njihet edhe me konkretisht në lidhje me qëndrimin që do të mbajë Holanda ndaj integrimit në BE.
Ndërsa të mërkurën, ditën e fundit të vizitës, kryetari i Kuvendit do takohet me Kryetaren e Senatit Holandës, Ankie Brokers – Knol dhe me Senatorë holandezë.
Standardet e Holandës
Kryetari i Kuvendit Ruçi, sipas njoftimit për shtyp, në takimin e parë informoi kryetaren e Dhomës së Ulët të Parlamentit holandez, Arib mbi arritjet e Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe të rekomanduara nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në arritjet e reformës në drejtësi, të cilën Kryetari i Kuvendit e vlerësoi si kryereforma e proceseve integruese, dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Kryetarja e Parlamenti të Holandës, Khadija Arib, vuri në dukje se Holanda dhe Shqipëria kanë marrëdhënie bashkëpunimi të konkretizuara në vizita të parlamentarëve holandezë në Shqipëri dhe parlamentarëve shqiptarë në Holandë. Ajo vlerësoi arritjet e Shqipërisë në fushën e reformave dhe nënvizoi në mënyrë të veçantë arritjet në fushën e sundimit të ligjit.

“Holanda kërkon standarde të larta, sepse ato na çojnë përpara. Rritja e standardeve është e lidhur ngushtë edhe me interesat e Holandës për të shtuar investimet në Shqipëri. Shkëmbimet mes parlamentarëve kanë qenë intensive dhe ato do të shtohen në të ardhmen”, theksoi Arib. Në lidhje me hapjen e negociatave, Kryetarja Arib vuri në dukje se Parlamenti i Holandës pret publikimin e Raportit të Komisionit Europian si edhe të raporterëve të Komisionit parlamentar holandez për Europën, të cilët ishin për vizitë në Shqipëri në fillim të majit.

Delegacioni ka zhvilluar edhe takime mbi një orë në Ministrinë e Punëve të Jashtme me zv.ministrin për Bashkëpunimin Europian, Thijs van der Plas. Burime pohuan se ky takim është cilësuar si i sukseshëm, ku qeveria holandeze pritet të mbajë qëndrim pozitiv për çështjen e negociatave, duke mbajtur të njëjtën linjë me qëndrimin e qeverisë gjermane.
Zyrtari i lartë vuri në dukje se “Qeveria holandeze është plotësisht e përkushtuar ndaj zgjerimit të BE-së, si një obligim moral, nevojë historike dhe në dobi të interesave të vetë BE-së. Për sa i përket Shqipërisë, theksoi ai, kam parë me sytë e mi progresin e jashtëzakonshëm dhe arritjet tuaja, sidomos në reformën në drejtësi, për të cilën kontribojnë edhe ekspertët holandezë. Holanda pret publikimin e Raportit të Komisionit Europian dhe shpreson në një qëndrim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Më tetë maj delegacioni i deputetëve holandez i kryesuar nga Anne Mulder, raporter për Ballkanin Perëndimor, zhvilloi takime në Shqipëri për t’u njohur me situatën dhe me reformat përpara marrjes së vendimit për çeljen e negociatave nga Parlamenti holandez. Një vizitë që vinte pas vendimit të marrë më 16 prill nga Parlamenti holandez ku me një shumicë votash vendosi që t’i kërkonte qeverisë së saj për të rivendosur regjimin e vizave për Shqipërinë.
Deputetët holandezë u takuan me kryeministrin Rama, Ministrin e Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, kreun e opozitës Basha, si dhe me drejtuesit e mazhorancës në Parlament. Deputeti Anne Mulder në një deklaratë nga ambasada e Holandës që në fillim theksoi se vizita nuk lidhet me kërkesën e parlamentit për rivendosjen e vizave me Shqipërinë.

Gjatë konferencës së tyre, delegacioni Holandez ka larguar çdo hamendje se vizita e tyre kishte të bënte me debatet e deputetëve holandez për vendosjen e vizave për Shqipërinë
Misioni i tyre ishte faktmbledhës synonte marrjen e informacioneve të ndryshme, për sa i përket plotësimit të reformave kyçe që Bashkimi Evropian kishte ndaj Shqipërisë.
“Ne jemi në dijeni të faktit që votimi në parlamentin holandez mbi çështjen e liberalizmit të vizave ka tërhequr shumë vëmendje në Shqipëri. Gjithsesi kjo nuk ka qenë arsyeja e vizitës sonë dhe as ka qenë një çështje që ne e kemi ngritur apo diskutuar gjerësisht në takimet që patëm. Jam i sigurt se kjo çështje do të jetë në agjendën e vizitës së parlamentit shqiptar në Holandë, në fund të këtij muaji. Ne dëshmuam një dëshirë/motivim të madh nga autoritetet shqiptare për të vijuar me plotësimin e prioriteteve kyçe të vendosura nga Bashkimi Evropian. Ne i urojmë Shqipërisë shumë suksese në zbatimin e agjendës së reformave. Tashmë i takon Komisionit Evropian të bëjë vlerësimin e tij dhe të propozojë një rekomandim në lidhje me Shqipërinë. Ne po presim për raport progresin e Komisionit Evropian, i cili do të publikohet në javët në vijim, dhe më pas ne do ta diskutojmë atë edhe në parlamentin tonë”, do të deklaronte Anne Mulder gjatë një konference për shtyp në Tiranë.
Vizita e kryeparlamentarit Ruçi, i cili pritet të njihet edhe me vendimin për heqjen e vizave, pritet të jetë edhe si një lobim për të pasur një vendim pozitiv sa përket çeljes së negociatave. Në axhendën tre ditore të takimeve kryeparlamentari ka parashikuar të takohet me ish-ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ish-shefin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap Hoop Shceffer, Jan Marinus Wiersman (partia PvDA), me ish-ministrin e Ekonomisë, Laurens jan Brinkhorst, parti pro europiane, themelues i partisë D66.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



