Ne rrjet

Negociatat , rezultat i paracaktuar në vite

Kanë kaluar aq shumë vite e ka pasur aq shumë ecejake zyrtare rrugëve mes Brukselit dhe Tiranës, saqë e kanë bërë të lehtë për shqiptarët të kuptojnë se rekomandimi i komisionit për t’i çelur vendit negociatat për anëtarësimin në BE, ishte veçse një qokë kortezie.

Në progres-raportin e dorëzuar me aq politesë nga zonja Mogherini, Shqipëria shpërfaqej po njësoj, me të njëjtat probleme dhe tërësinë e rekomandimeve të paplotësuara. Edhe buzëqeshja e lehtënë fytyrën e Kryeministrit shqiptar u zgjua vetëm kur iu konfirmua se, këtë radhë, për negociata nuk pati kushte. Por asgjë më shumë nuk ka ndryshuar.

Zoti Rama dhe gjithë të tjerët që e njohin procesin e vendimmarrjes në Union e dinë po kaq mirë se, vendimi përfundimtar, i cili bëhet i ditur në qershor, do t’ju takojë vendeve anëtare, ku qeveritë përpara se të japin një vendim, duhet të marrim pëlqimin e parlamenteve të tyre, të cilat janë populluar më shumë se më parë nga krahu anti-BE.

Por, edhe sikur çdo gjë të shkojë fjollë, njohës të mirë të procesit i thanë revistës “Monitor”, se vështirë të kapet qershori!!Ndoshta duhet pritur mbledhja e dytë e Këshillit të Europës, në dhjetor?! Askush nuk e dëshiron këtë shtyrje. Që të shkurtohen kalendarët dhe të gjithë skeptikët të binden vetëm në dy muaj kur Shqipëria s’e bëri dot për gati dy dekada, do të duhet të ndodhë magjia. Ndërkohë buka që përgatiti Parlamenti nuk është pija çudibërëse për të trazuar mendjet e europianëve.

E vetmja që kërkon të na gënjejnë për një profeci të mundshme të qeverisë është mazhoranca, si dikur opozita e djeshme. Shqiptarët e dinë se kjo nuk mund të ndodhë, sepse e njohin mjaft mirë këtë racë politike të vendit. Procesi i integrimit nisi nga rekomandimi për MSA në 2001 dhe vetë marrëveshja u arrit të ratifikohet vetëm në vitin 2009. Pastaj dështuam tre herë për statusin e vendit kandidat që u mor në 2014 dhe vetëm në 2018 u arrit rekomandimi për negociatat e anëtarësimit.

Mesatarisht na është dashur 4 vjet për çdo hap të hedhur përpara. Pra 17 vjet për të arritur deri këtu ose më pak se Maqedonia fqinje (e mori statusin në vitin 2005) e cila përjetoi konflikte të armatosur etnike dhe ka probleme të ekzistencës së saj me fqinjët jugorë. Kjo lëvizje e ngadaltë dhe me shumë mundime i ka pezmatuar shqiptarët. Ata kanë marrë përsipër ta zgjidhin vetë integrimin, duke iu larguar vendit për të jetuar në emigracion. Rrugë e dhimbshme,por që gjithsesi më e mirë sesa kjo e ofruar deri tani.

Sot, më shumë se 1/3 e popullsisë jeton jashtë dhe ky emigracion është shpërfaqur frikshëm gjatë viteve të fundit,ku brenda tre viteve të fundit kanë ikur rreth 300 mijë shqiptarë (shifër e përafërt nga burime të ndryshme).

Me logjikë të tillë matematike, nga largime të tilla për çdo hap të vonuar drejt BE-së,kur të vijë koha që zyrtarët e BE do të hyjnë në Tiranë për të dhënë lajmin e mirë, gjithë të tjerët do të kenë ikur. Por ashtu si në sport, matematika hyn pak. Fatkeqësisht ende sot, klasa politike e shikon anëtarësimin si një sport që kënaqet kur pret e hedh topa në BE dhe ku në këtë lloj loje, shqiptarët kanë mbetur si tifozë indiferentë të një rezultati të paracaktuar në vite, e që zbrazin shkallët për ta mësuar fundin e ndeshjes,diku jashtë, larg vendit që i takon.

Editorial i Revistës Monitor

How to Buy Prescription Medications


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë