Politike

Negociatat, Rama, Mitsotakis dhe Zaev takohen në Nju Jork?

Edhe pse ka kërcënuar disa herë për vendosjen e vetos për negociatat e anëtarësimit në BE, qeveria konservatore e Athinës duket se është duke punuar për një takim të mundshëm mes kryeministrit Edi Rama, atij grek Qiriakos Mitsotaqis dhe homologut të tyre maqedonas Zoran Zaev.

Sipas raporteve të medias, ky takim mund të mbahet në Nju Jork, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme. Ne një konferencë për shtyp, zëdhënësi i qeverisë Greke nuk dha ndonjë datë specifike në lidhje me takimet me Ramën dhe Zaev, por theksoi se Athina nuk favorizon ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedoninë Veriore në procesin e integrimit në BE.

Që nga ardhja e tij në pushtet, marrëdhëniet midis Mitsotaqis dhe kreut të qeverisë shqiptare nuk kanë qenë edhe aq pozitive, majde kryeministri grek ka kërcënaur disa herë se do të vendosë veton për negociatat e Tiranës.

Edhe pse Greqia thotë nga njëra anë se pret të përfshihet më shumë në zhvillimet rajonale, ajo duket se po e kushtëzon votimin për hapjen e negociatave për të kërkuar respektimin e të drejtave të minoritetit grek në vendin tonë.

Kryeministrit Edi Rama dhe homologu maqedonas Zoran Zaev. Gazeta Si, 18 shtator 2019

Të martën, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj deklaroi se çështja e minoritetit në Shqipëri është e qartë dhe se qeveria shqiptare ka nisur kontaktet me qeverinë e re greke me qëllim heqjen e barrierave të integrimit.

“Me qeverinë e mëparshme greke kemi pasur proces aktiv komunikimi e nuk ka pasur barriera për integrimit. Dhe me qeverinë aktuale jemi në kontakte, por Shqipëria është ne pozicionin që duhet të marrë mbështetje politike për të pasur një vendim në tetor. Nuk mund të komentoj mbi motivet apo llogarite e çfarëdo lideri. Situata e minoritetit grek në vend është publike dhe e shumë e qartë”, tha Cakaj.

Por Greqia duket se është ankuar të hënën për çështjen e minoritetit grek edhe në Berlin. Para se të takohej me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas, kreu i diploamcisë greke Nikos Dendias tha në një intervistë se do t’ia ngrinte këtë shqetësim homologut gjerman dhe konfirmoi se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ishte pjesë e bisedimeve.

Ndërkohë edhe vetë Kryeministri Mitsotaqis ka dalë disa herë hapur kundër çeljes së negociatave për Shqipërinë. Gjatë një konference me gazetarë vendas dhe të huaj në Selanik, në fillim të këtij muaji, Mitsotaqis e bëri të qartë se për Athinën, Qeveria shqiptare duhet të respektojë të drejtat e minoritetit grek që të ecë më tej në rrugën e integrimit.

“Nuk jemi ende atje dhe nuk kemi parë ende një progres të qenësishëm në këtë drejtim”, u shpreh ai, duke sqaruar se negociata nuk ka përsa kohë sjellja e qeverisë shqiptare nuk ndryshon.

Sipas medias europiane “Euractiv”, përgjatë javëve të ardhshme Greqia do të përpiqet të arrijë një ekuilibër mes mbajtjes së presionit të fortë politik mbi Shqipërinë dhe mbajtjes së gjallë të perspektivës evropiane.

Kryeministri grek, Qiriakos Mitsotaqis. Gazeta Si, 18 shtator 2019

Në këto kushte, ekspertët pyesin se nëse grekët do t’i rikthehen politikave të papërshtatshme kundrejt rajonit, pasi vetë Mitsotakis ka mbajtur deri më tani një qëndrim mjaft nacionalist ndaj Tiranës dhe Shkupit, duke e quajtur marrëveshjen e emrit “të turpshme”.

Euroactiv shkruan se qeveria e re greke se është gati të bllokojë shpresat europiane të Shqipërisë në tetor dhe ndoshta të favorizojë ndarjen, në rast se vendet e tjera arrijnë unanimitetin për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë.

“Fokusi i Greqisë do të vazhdojë të jetë në krizën aktuale politike në Shqipëri dhe në forcimin e luftës kundër sundimit të ligjit dhe korrupsionit. Por mbi të gjitha, shqetësimet kryesore kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek, një çështje mjaft shqetësuese për Demokracinë e Re”, shkruan “Euroactiv”. Ajo që e ndërlikon më shumë këtë çështje është se trajtimi i pakicës greke në Shqipëri është një çështje shumë emocionale, duke tërhequr tej mase vëmendje mediatike të qytetarëve shqiptarë dhe është po ashtu një çështje shumë e rëndësishme për votuesit e krahut të djathtë të Demokracisë së Re”, shkruan media europiane.

Megjithatë, mbetet për t’u parë deri javën e ardhshme nëse qeveria e re greke do të vendosë kushte tepër të ngurta për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe, si ajo e detit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë