Politike

Negociatat PS-Bardhi për normalitetin në Kuvend / Prapaskenat e takimeve nga selitë diplomatike tek negociatorët

Nga Gazeta Si - Në pamje të parë, parlamenti nuk kishte ndonjë ndryshim të enjten. E njëjta protestë me bilbila nga opozita. I njëjti tension mes palëve. Por që prej 5 tetorit 2023, kur grupi parlamentar nisi protestën në parlament, të enjten e 7 marsit kishte një mesazh ndryshe nga maxhoranca. Mes zhurmës së bilbilbave dhe protestës së opozitës për shkeljen e rregullores për mungesën e kuorumit të nevojshëm, Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, dha një mesazh bashkëpunimi.

“Ka ardhur koha që t’i gjejmë dy fjalë të përbashkëta. Ejani në Konferencën e Kryetarëve të biem dakord për objektet, siç kemi diskutuar vijimësisht për kërkesat tuaja. Besoj jemi shumë afër që të gjejmë një zgjidhje për këtë absurditet.”.

Ky ishte apeli i Elisa Spiropalit, që nuk ishte aspak rastësor dhe as një mesazh personal. Ministrja Spiropali është pjesë e një grupi të ngushtë politikanësh nga qeveria, që është në bisedime me opozitën për të rikthyer normalitetin në parlament dhe për t’i dhënë fund protestave të Partisë Demokratike.

Bisedimet kanë nisur të hënën e kësaj jave, pas një takimi formal të thirrur nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla mes kryetarëve të katër grupeve ekzistuese parlamentare, Bledi Çuçit të maxhorancës, Gazment Bardhit, Mesila Dodës dhe Dashamir Shehit të opoztës. Megjithëse nuk ka patur ndonjë rezultat konkret, takimi vlerësohet si i rëndësishëm, pasi ishte hapi i parë i uljes në bisedime mes palëve që e kanë trajtuar njëri tjetrin deri në armiqësi.

Por takimi ka qenë i rëndësishëm, edhe sepse i ka hapur rrugë negociatave direkte mes grupit parlamentar të PS dhe grupit parlamentar të PD-së, të përfaqësuar nga Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi. Burime të mirëinformuara bëjnë të ditur për Gazeta Si se dy politikanët janë takuar kokë më kokë gjatë javës në mjediset e Kuvendit për të dakordësuar modalitetet e rikthimit të jetës normale në parlament. Deri tani nuk ka asgjë konkrete dhe palët duken të kujdesshme për të shprehur optimizmin e tyre për përfundimin me sukses të negociatave.

Dy çështjet sensitive në diskutim janë problemet e ngritura nga grupi parlamentar i PD: së pari, për përfaqësimin me bashkëkryetar në komisionin dypalësh të Reformës Zgjedhore; së dyti, për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Bëhet e ditur se PS është e hapur të pranojë ngritjen e të paktën 2-3 komisioneve hetimore, për të cilat ende nuk është rënë dakord.

Gjatë 2 viteve të fundit, PD ka paraqitur tetë kërkesa, të gjitha të rrëzuara nga PS, ku më të rëndësishmet janë komisioni hetimor për çështjet Mcgonogal, komisioni për investimet strategjike, komisioni për koncesionet në shëndetësi. Deri tani, palët nuk kanë hyrë në detaje për të diksutuar se cilët nga komisionet do të pranohen dhe çfarë zgjidhje do të marrë përfaqësimi i opozitës në Komisionin e reformës zgjedhore. Edhe për këtë ka disa opsione në tryezë.

Të zëvendësohet bashkëkryetari aktual Enkelejd Alibeaj, që është kërkesë maksimale e opozitës, të shtohet dhe një bashkëkryetar tjetër, jo shumë e preferuar nga opozita, ose të lihet që mandati i komisionit të përfundojë pa sukses në fund të marsit dhe palët të dakordësojnë për reformën me një vendm të ri të parlamentit ose në komisionin e Ligjeve, si një proces normal ligji, i paralajmëruar prej kohësh nga kryeministri Rama.

Nga e hëna, do të kuptohet më mirë se çfarë do të arrihet në këto negociata. Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi do të takohen sërish në fillim të javës për të diskutuar me detajet. Deri atëherë duhet të kënaqen me dakordësinë në parim se të dyja palët kanë vullnetin për të gjetur zgjidhje dhe për të rikthyer sa më shpejt normalitetin në Parlament.

Por a ia dolën palët që kësaj here të tregojnë maturi politike dhe të gjejnë vetë gjuhën e dialogut? As kësaj radhe jo. Negociatat edhe këtë herë janë bërë në anglisht, diçka që kryeministrit Rama nuk i pëlqen, por ndryshe nga herët e tjera, aksenti nuk ka qenë amerikan. 2-3 javët e fundit, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Alastair Kingsmith ka organizuar disa takime mes palëve në rezidencën e tij. Takime ku palët kanë folur për mundësinë e dialogut dhe opsionet e zgjidhjes së një ngërçi të përsëritur dhe të padëshirueshëm në parlamentin e vendit anëtar të NATO-s.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë