Politike

Negociatat përplasin PS-PD, Tabaku: Jemi pro integrimit, por s’ka transparencë! Hasani: Nuk jam këtu për fushatë

Nga Gazeta ‘Si’– Në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Europian kryetarja Jorida Tabaku ngriti shqetësimin se procesi sipas saj po shoqërohet pa transparencë, teksa shprehu dakordësinë e opozitës për ta çuar vendin drejt BE-së.

“Shqipëria nuk ka asnjë dyshim që të ardhmen e ka në BE, është qëllim i përbashkët jo vetëm i qeverisë, por i të gjitha forcave politike. Shpreh gatishmërinë opozitës që ky proces, megjithëse në mungesë të rezultateve konkrete, të vazhdojë duke qenë se është sinjal i qartë për sfidat politike. Pas agresionit rus në Ukraine dhe pas angazhimit që rajoni ka marrë për zgjerimin, parlamentet tona janë duke luajtur një rol të rëndësishëm”, tha Tabaku.

Ajo tha se në shumë prej diskutimeve që po bëhen nuk ka transparencë mbi politikat e qeverisë sa i përket proceseve negociuese ku të gjithë qytetarët duhet të kenë akses.

“Komisioni i Çështjeve Europiane ka qenë pararojë e shumë ndryshimeve për të rritur rolin e kuvendit, shpresoj të mos mbeten në letër, e nevojshme transparenca mbi politikat e qeverisë sa i përket pozicioneve negociuese. Opozita, PD beson se kjo është e ardhmja e Shqipërisë, por situata është e tillë që në pjesën më të madhe të diskutimeve nuk po ofrohet transparencë dhe gjithë përfshirje”, tha kryetarja e komisionit.

Ndërsa Ministri i Jashtëm Igli Hasani replikoi se nuk ishte aty për fushatë por bëri apel për bashkëpunim rajonal të vendeve që aspirojnë integrimin, por edhe të palëve politike.

Ai tha se janë hapur 4 grupkapituj dhe në qershor pritet të hapen edhe dy të tjera, teksa qëllimi është integrimi në BE.

 “Kemi hapur 4 nga kapitujt dhe jemi gati të hapim të gjitha deri në qershor. Këtu nuk jam për fushatë, jam për procese transparente, të afta për të përfshirë të gjithë shoqërinë, jam i kënaqur që ju presim këtu në Tiranë në këtë forum. Luan rol në të ardhmen europiane të Shqipërisë në BE, për të bashkëpunuar dhe çuar përpara qëllimin e integrimit. Ballkani Perëndimor ka kontribuar në ecurinë përpara të proceseve dhe në bashkëpunim, teksa ky bashkëpunim do çohet më përpara. Ky është proces i udhëhequr nga vizioni, ndaj vendi ka shënuar ecuri shumë pozitive.

Më shumë se kurrë jemi më pranë hapit të ardhshëm të integrimit. Katër nga 6 grupkapitujt janë hapur tashmë, në qershor hapim edhe dy të fundit dhe nga fundi dhjetorit shkojmë në mbylljen e kapitujve të parë të hapur”, u shpreh ministri.

Ndërsa në mungesë të ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, i pranishëm në Konferencën për Asociim-Stabilizimin ishte shefi i Seksionit Politik në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo.

Në fjalën e tij ai theksoi edhe njëherë prioritetet e unionit dhe qëllimet e shpallura nga komisionerja Ursula von der Leyen, për zgjerimin e BE-së, bashkimin, forcimin dhe zhvillimin e saj, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre Shqipërinë.

Gjithashtu ai nënvizoi dëshirën e vendeve të rajonit për t’u integruar dhe bërë pjesë e familjes europiane, duke ngritur shqetësime dhe për rreziqet që i vijnë unionit apo ndryshimi i gjeopolitikës vitet e fundit me luftën në Ukrainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë